Presidenti Ilir Meta kujton sot Ditën Ndërkombëtare të Sporteve për Zhvillim dhe Paqe, duke u shprehur se “kjo ditë vë në dukje vlerat më të mira të sportit, që janë shfaqur në këtë periudhë të vështirë edhe në shoqërinë tonë: frymën e skuadrës dhe punën në ekip, rezistencën e bashkëpunimin kundër një armiku të përbashkët, solidaritetin dhe përpjekjet e palodhura për të dhënë gjithçka të mirë në shërbim të shoqërisë dhe mbrojtjes së shëndetit të çdo qytetari”.

Duke theksuar se “Së bashku do ia dalim”, Kreu i Shtetit falënderon gjithë personelin mjekës, Mjekët, që sipas tij, në këto ditë të vështira të betejës me COVID-19, kanë mishëruar më së miri këto vlera dhe padyshim mirënjohja dhe falenderimi në këto ditë është për ta, heronjtë tanë!

Mesazhi i Metës:

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Sporteve për Zhvillim dhe Paqe, kushtuar ndikimit pozitiv që sportet kanë në zhvillimin social e kulturor dhe përparimin e të drejtave të njeriut.

Sporti përmirëson cilësisht, jo vetëm jetën e karakterin e çdo individi, por njëkohësisht mund të ndryshojë një shoqëri të tërë, ta bëjë më të bashkuar, më optimiste, dhe më krenare për vlerat dhe për aftësitë e saj.

Në këtë kohë kur të gjitha aktivitetet masive sportive janë ndërprerë për shkak të pandemisë COVID-19, kjo ditë vë në dukje vlerat më të mira të sportit, që janë shfaqur në këtë periudhë të vështirë edhe në shoqërinë tonë: frymën e skuadrës dhe punën në ekip, rezistencën e bashkëpunimin kundër një armiku të përbashkët, solidaritetin dhe përpjekjet e palodhura për të dhënë gjithçka të mirë në shërbim të shoqërisë dhe mbrojtjes së shëndetit të çdo qytetari.

Mjekët, infermierët, sanitarët dhe personeli mbështetës, kanë mishëruar më së miri këto vlera dhe padyshim mirënjohja dhe falenderimi në këto ditë është për ta, heronjtë tanë!
SË BASHKU DO T’IA DALIM!

LEAVE A REPLY