Njoftim për komunitetin e Qarkut Shkodër
Duke falënderuar komunitetin e Qarkut Shkodër, për mirëkuptimin në këtë moment kritik dhe zbatimin e masave kufizuese të qarkullimit të mjeteve dhe personave, Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër dëshiron të bëjë edhe një njoftim të rëndësishëm për ndryshimet e ndodhura së fundmi në rregullat dhe orarin e qarkullimit të mjeteve dhe të personave:
- Duke filluar nga data 14.04.2020, të gjitha autorizimet e dhëna në funksion të biznesit apo institucioneve, për mjetet e përdorimit vetjak 4+1 do të përdoren nga i autorizuari vetëm në destinacionin shtëpi – punë dhe punë – shtëpi.
- Të autorizuarit lejohen për të shkuar nga banesa në drejtim të qendrës së punës nga ora 5:00 deri 8:00 dhe nga ora 16:00 deri në orën 17:30 për t’u kthyer në banesë, pavarësisht se kanë autorizim për lëvizje pa limit. Lëvizja e tyre jashtë kësaj fashe orare do të ndëshkohet konform akteve në fuqi.
- Nuk do të pengohen mjetet e transportit të mallrave të çfarëdo lloj kategorie qofshin, pra janë të lira për të lëvizur gjatë gjithë kohës.
- Qytetarët që mund të kenë një emergjencë të caktuar shëndetësore, duhet të telefonojnë në numrin 112 ose 129, për të bërë njoftimin e targës dhe të destinacionit ku do të lëvizin në mënyrë që të mos pengohen.
- Policia e Shtetit, në faqen zyrtare të saj ëëë.asp.gov.al, ka publikuar një aplikacion me emërtimin “Covid-19″ – Lëvizja e kontrolluar me mjet!”.
- Të gjitha vetëdeklarimet, kërkesat për autorizime personale apo autorizime biznesi do të kryhen nga faqja zyrtare e Policisë së Shtetit, nëpërmjet këtij aplikacioni.
- Për pajisjen me autorizim të ri, qytetarët duhet të plotësojnë njërin nga “deklarimet” e vëna në dispozicion: Vetëdeklarim, Autorizim Personal ose Autorizim Biznesi, duke klikuar në linkun http://autorizime.asp.gov.al.
- Gjatë aplikimit është e rëndësishme vendosja e saktë e të dhënave që i kërkohen aplikuesit, motivi i qarkullimit dhe itineraret e kërkuara.
- Në përfundim të aplikimit shfaqet një numër aplikimi, i cili i jep mundësinë qytetarëve të ndjekin fazat e konfirmimit të kërkesës së tyre online, duke rritur kështu në maksimum transparencën e komunikimit të Policisë me qytetarët.
- Në këtë hapësirë qytetarët mund të vetëdeklarojnë lëvizjen me mjet për vajtje-ardhje në punë, të aplikojnë për lëvizje mjeti personal, të aplikojnë për lëvizje mjeti\mjetesh biznesi dhe të gjurmojnë statusin e aplikimit të tyre.
Duke falënderuar për mirëkuptimin!