Kryeministri Edi Rama nga foltorja e Kuvendit tha se lufta me COVID-19 është luftë me dy fronte. Sipas tij, betejën me shëndetësinë Shqipëria po e fiton, por do ta fitojnë dhe atë me ekonominë.
Edi Rama: Unë di të them këtë, që asnjë vend në glob nuk ka bërë asgjë më shumë sesa kemi bërë ne. asgjë më shumë. Jo rastësisht Shqipëria rendit mes vendet me plagët më të lehta krahasuar me shumë vende të tjera të madhësive të ndryshme. Fatmirësisht jemi gjendur në një situatë ku kemi pasur privilegjin ti referohemi një ekspertize të niveli të lartë, atë të komitetit të ekspertëve që me gjithë strategjinë e ndjekur ka provuar se në këto kushte Shqipëria nuk ka kujt ti ketë zili. Nuk kam mundur të lexoj asnjë ekspert botëror që të thotë ndonjë gjë të re apo të paditur për ekspertët tanë.
Është e qartë që kjo luftë ka dy fronte, frontin e përballjes në vijën e zjarrit dhe armikun në trupin e njerëzve tanë dhe frontin e betejës për mbijetesën ekonomike sot dhe rimëkëmbjen nesër.
Ne po e fitojmë betejën në frontin e shëndetësisë dhe do ta fitojmë edhe atë të ekonomisë. Natyrisht me sakrifica dhe durim, por do ti fitojmë të dy betejat. Nuk do lejojmë që për hir të pasojave që krijon një situatë, ku njerëzit nuk janë të tkurrur nga shfaqja konkrete e rrezikut, sepse nuk dëgjojnë dhe shikojnë fatmirësisht se vdesin dhjetëra në ditë dhe nga ana tjetër ku njerëzit i japin fantazisë dhe ankesave një vrull të mirë kuptueshëm, ajo që është pak por e sigurt është që t’i fitojmë të dyja betejat duhet të vazhdojmë të luftojmë.
Kryeministri tha se nëse qeveria nuk do të kishte marrë këto masa dhe nëse qytetarët nuk do ti kishin zbatuar, Shqipëria do të kishte 2800 viktima.
Edi Rama: Jo projeksionet tona, por të bëra nga ekspertë të pavarur flisnin për mundësinë potenciale që nëse nuk do ishte marrë asnjë masë ne mund të kishim 18 mijë të vdekur. Ndërsa projeksionet tona, sikur masat të mos ishin imponuar dhe respektuar nga shumica e shqiptarëve flisnin për 2800 të vdekur. Qeveritë vlerësohen për atë që bëjnë dhe për atë që ndalojnë të ndodhë.