Ministria e Shëndetësisë deklaron se nuk ka viktimë tjetër si pasojë e COVID-19, duke nënvizuar se numri zyrtar i personave që kanë humbur betejën me sëmundjen mbetet 26.
Reagimi vjen pas publikimit në mediat të lajmit për vdekjen e një pacienti 69-vjeçar nga Shkodra me COVID-19.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale informon se pacienti 69-vjeçar nga Shkodra që ka ndërruar jetë në spitalin Infektiv, ka humbur jetën si pasojë e sëmundjes hemoragjisë cerebrale (aksidentit vascular hemoragjik).
69-vjeçari ishte prej 13 vitesh me tumor në kokë dhe kishte kryer 3 ndërhyrje. Kishte hemorragji cerebrale dhe ishte në gjendje të rëndë në koma.
Sipas spitalit Infektiv, 69-vjeçari nuk ka ndërruar jetë si pasojë e COVID-19, pasi ishte bartës i virusit, por pa shenja të sëmundjes, (asimptomatik) dhe ka ndërruar jetë si pasojë e hemoragjisë cerebrale.
Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllime familjes së të ndjerit dhe informon se do të mbajë të informuar publikun për çdo zhvillim, ndaj lutemi t’i referoheni njoftimeve zyrtare.