Kryeministri i vendit Edi Rama me anë të një komunikimi live në “News 24” deklaroi se Shqipëria akoma nuk ka hapur kufijtë, duke shtuar se për momentin është liruar një korridor, nga ku do të bëjnë fluturime njerëzit që gjenden më shumë në vështirësi
“Sot që flasim, ne nuk kemi hapur kufijtë, por kemi hapur një korridor fluturimi, që t’ju japim mundësi atyre që janë më në hall se të tjerët që të kthehen. Shumë kush e ka keqpërfolur në mënyrë shumë brutale. Ne nuk kemi ndërhyrë fare në këtë proces, por kemi kërkuar nga kompania Air Albania, që të vendosë një cmim normal e kemi vendosur të paguajmë akomodimin në hotel, përderisa kemi mundësi ta bëjmë këtë.
Nuk ka asnjë gjë prej këtyre, jo hyri miku e jo ky. Janë pak vende në dispozicion për shumë kërkesa. Këtu është hapur një korridor. Ka vende që nuk kanë hapur kufijtë. Franca prsh nëse nuk je shtetas francez, nuk të pranon”, tha Rama.
Në lidhje me faktin se kur do të hapen kufijtë, Rama deklaroi se këtë gjë nuk mund ta thotë dot.
“Kur do bëhet hapja, unë nuk di ta them. Akush nuk di ta thotë. Të gjithë liderët thonë afate të vendosura në parashikueshmëri të disa elementëve dhe jo të gjitha elementëve. Kjo sepse ka elementë që i di Covidi, e nuk i dimë. Shikoni cfarë bëhet në Nju Jork, në Londër etj. Zoti na ndihmoftë deri në fund”, u shpreh Rama.