Presidenti Ilir Meta, nuk heq dorë nga beteja kundër Kryetarit të Këshillit të Emerimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani.
Përmes një letre presidenti Ilir Meta njofton Këshillin e Lartë Gjyqësor se Ardian Dvorani ka humbur çdo lloj të drejte apo justifikimi për të vijuar funksionin edhe si Kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi përgjatë pjesës së mbetur të vitit 2020.
Kreu i shtetit i kërkon Dvoranit të dorëzojë detyrën dhe në vijim e sipër, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi do të duhet të vijojë të funksionojë rregullisht nën drejtimin e Zëvendëskryetarit
“Përmes kësaj shkrese, sjellim në vëmendjen tuaj se, kur mbarimi i mandatit të z. Ardian Dvorani si gjyqtar i Gjykatës së Lartë dhe deklarimi i këtij fakti ka ndodhur në periudhën janar- shkurt 2014, në funksion të transparencës, lind nevoja e bërjes publike të ndërprerjes së qëndrimit në detyrë të z. Ardian Dvorani, të cilit i ka humbur çdo lloj e drejte apo justifikimi për të vijuar funksionin edhe si Kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi përgjatë pjesës së mbetur të vitit 2020. Tashmë si detyrim i fundit ligjor për z. Dvorani, ngelet për t’u përmbushur vetëm procedura administrative e dorëzimit të detyrës sipas ligjit.
Në vijim, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi do të duhet të vijojë të funksionojë rregullisht nën drejtimin e Zëvendëskryetarit, sipas parashikimit të nenit 227, të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar.”
Kreu I shtetit argumenton se me emerimin e 3 anetareve te rinj ne Gjykaten e Larte, Ardian Dvorani nuk duhet me te ushtroje më detyrën.
Me emërimin e çdonjërit prej anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë, automatikisht, posti vakant që mbante z. Dvorani tashmë është plotësuar. Përsa më sipër, nga procedura e ndjekur nga KLGJ, e cila u finalizua nga Presidenti i Republikës me emërimet e propozimeve të sjella nga KLGJ dhe bërjen e betimit nga secili prej tre anëtarëve të rinj të kësaj Gjykate, rezulton se vakanca e mbajtur deri tani nga z. Dvorani, është plotësuar me gjyqtarin zëvendësues, e për pasojë, qëndrimi i mëtejshëm në detyrë i z. Dvorani ka përfunduar de facto dhe de jure.
Letra të cilin e disponon Ora News, eshte 8 faqe dhe i është drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe për dijeni dhe Avokatit të Popullit, Gjykatës Kushtetuese dhe Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Dvorani është emëruar në Gjykatën e Lartë në shkurtin e vitit 2005 dhe ai qëndron në këtë detyrë prej afer 16 vitesh edhe pse mandati i anëtarit të kësaj gjykate është vetëm 9 vjet. Tashmë është në dorën e Këshillit të Lartë Gjyqësor i cili ka ngarkuar Komisionin e Zhvillimit të Karrierës për trajtimin e kesaj cështje.