Kryeministri Edi Rama tha se do t’i marrin tri pagat e luftës të gjithë qytetarët, që kanë mbetur pa punë, për shkak të koronavirusit, por sipas tij, ka pasur probleme me IBAN-in.
“Do t’i marrin tre herë ato paga, edhe pse një pjesë e tyre janë kthyer në punë tashmë. Mbështetje përe 176 mijë të tjerë, deri tani janë afro 70 mijë që i kanë në banka, disbursohen çdo ditë paga për ta. Por nuk ka financim për ata që nuk janë të regjistruar dhe nuk figurojnë askund”, tha Rama.
Duke iu përgjigjur shqetësimit të qytetarëve, që kanë mbetur larg fëmijëve të tyre, për shkak të masave të marra kundër koronavirusit, Rama tha se nuk donte ta kalonte këtë situatë, por i ra dhe duhet ta bëjë.
“Kemi fëmijët te prindërit në Përmet, kemi dy muaj pa i parë, si të bëjmë? Është e vërtetë, por po të ishte për mua dhe qeverinë nuk do donim kurrë të merreshim me këtë situatë, por na ra dhe po e bëjmë me dinjitet deri tani. Shqipëria është vendi me më pak vdekje në të gjithë kontinentin”, u shpreh kryeministri.