Izolimi duket se ka edhe të mirat e veta. Kujtimet e së shkuarës po dalin nëpah gjithnjë e më shumë në këtë kohë pandemie. Një histori tejet interesante na e rrëfen edhe Armir Grima, ish-portieri i Vllaznisë dhe aktualisht trajner i ekipit kombëtar të futbollit të femrave. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” ai zbulon një skenë që u ka ndodhur në ’98-ën, teksa ktheheshin nga Gjirokastra në Shkodër. Ishte kohë bandash dhe vjedhjesh, e megjithatë kuqeblutë shpëtuan paq në Torovicë.
Ish-kapiteni i Vllaznisë nuk kishte si të mos fliste edhe për ekipin e zemrës dhe problematikat e tij, ndërsa nuk ka ngurruar që të komentojë idenë e Ilir Dajës për të mbyllur këtu kampionin dhe sezoni i ri të nisë me 12 skuadra.
Armir, po bëhen dy muaj pa futboll. A kujtoni ndonjë episod gjatë karrierës suaj, që kampionati të jetë ndërprerë kaq gjatë?
Mbaj mend ’97-ën në fakt. Kampionati u ndërpre nga trazirat e atij viti, por prapë ishte një situatë krejt tjetër nga kjo e tanishmja. Asokohe kishim mundësi për t’u stërvitur, me gjithë problematikat e mbrapshta të atij viti. Ndërsa sot është një situatë e padëgjuar dhe mendoj e papërjetuar jo nga brezi ynë, por as nga brezat e mëparshëm.
Në vitit ’97 kampionati rinisi në verë, ndonëse u vendos që asnjë nga skuadrat të mos binte nga kategoria. Çfarë kujtoni më shumë nga ai sezon?
Rinisja ishte thjesht formale, sa për ta mbyllur kampionatin. Të paktën kështu e kujtoj unë. Ai kampionat u bë me grumbullim në Tiranë dhe Vllaznia doli në vend të dytë. Dhe keni të drejtë, pasi mbaj mend që nuk ra asnjë ekip nga kategoria. Ajo periudhë mbahet mend për vështirësitë e mëdha që hasnim pothuajse në çdo fushë të jetës. Udhëtimi, ndeshjet, tifozët, një kampionat ku pothuajse nuk figuronte shteti, por futbolli me gjithë këto vështirësi vazhdonte.
Dhe për ta mbyllur, duam që të na rrëfeni momentin më me humor që keni përjetuar si futbollit?
Kur po ktheheshim nga Gjirokastra në Shkodër dhe në darkë vonë na u prish autobusi në Torovicë. Bëhej fjalë për 1998-ën. Torovica në atë periudhë ishte zonë ku bëheshin grabitjet nga bandat dhe ishte e vështirë të kaloje ditën e jo më natën. Ne kishim fshehur paratë, orët e gjithçka që kishim të çmuar në vende të ndryshme në autobus dhe ishim gjithë ankth duke pritur kur po na vinin bandat aty.
Prit e s’ka, prit e s’ka. Shoferi vazhdonte të bënte të pamundurën për të rregulluar autobusin dhe në një moment që nuk po fliste asnjëri, Gjergj Shllaku, sulmues i Vllaznisë në atë periudhë, ia pret me qetësinë që e karakterizonte: “Djema rrini rehat, se na ka taku ndërrimi i turneve”. Aty plasi gazi dhe u kalua ajo situatë me të qeshura, derisa mbërritëm në Shkodër.