A po shfrytëzohet gjendja e fatkeqësisë natyrore, për të kufizuar liritë dhe të drejtat e njeriut? Kjo është pyetja që është ngritur nga shumë qytetarë, dhe së fundmi edhe nga opozita shqiptare.
Presidenti Ilir Meta, nuk jep një koment për këtë, por i bën thirrje institucioneve të garantojnë të drejtën e protestës së qytetarëve, si e drejtë themelore kushtetuese, pavarësisht situatës.
“Lidhur me çështjen e protestave, tubimeve dhe manifestimeve, Kushtetuta e garanton këtë të drejtë themelore që është fondamentale për ekzistencën e demokracisë. Është një e drejtë që duhet respektuar nga autoritetet. Duke qenë se jemi në situatë të veçantë duhen marrë të gjitha masat jo që të ndalohet por të zhvillohet në përputhje me kushtet specifike të distancimit social dhe ruajtjes së sigurisë dhe duhet të jenë paqësore. Zëri i qytetarëve duhet dëgjuar në çdo kohë dhe shpresoj që kjo të ndodhë në të ardhmen”.
Sakaq, Ilir Meta, vlerëson si të avancuara në standarde ndryshimet në kodin penal për raste e fatkeqësisë natyrore, ndërsa kërkon që aktet nënligjore të bëhen konform tyre.
Në interes të medias Presidenti komentoi debatin me anëtarin e Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani, ndërsa tha se shkarkimi i tij është në përgjegjësi e Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Deklaratat e Kreut të Shtetit erdhën pas nje seance dhurimi gjaku ne Bibliotekën e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Tiranë.