Policia ka gjobitur dy here brenda 24 orëve kryetarin e PD, Lulzim Basha. Burimet kanë bërë të ditur se pas ndëshkimit në Durrës për një mbledhje me mbështetësit në një ambient me dyer të mbyllura, ndaj tij është marrë masë dhe për protestën në mbrojtje të teatrit. Se bashku me të janë gjobitur edhe 30 persona të tjerë, të cilët kundërshtuan vendimin e bashkisë së Tiranës për shembjen e ndërtesës.
Protesta e djeshme e mbështetësve të Teatrit Kombëtar është shoqëruar me gjoba prej policisë së Tiranës. Burimet kanë bërë të ditur se janë firmosur të paktën 30 ndëshkime, ku si bazë ligjore është marrë kodi i ri penal.
Po ashtu mësohet se mes të gjobiturve është edhe kryetari i Partisë Demokratike, ndaj të cilit janë vendosur dy ndëshkime Brenda 24 orëve
Aleanca për teatrin dhe opozita ka vendosur të mos tërhiqet nga protesta, ndërsa në mbrëmje pritet që në krah të protestuesve të jetë dhe kryetarja e LSI Monika Kryemadhi.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka bërë të ditur se të enjten këshilltarët votuan pro vendimit për shembjen, por anëtari i vetëm i opozitës akuzon se procesi nuk ka qenë transparent.
Në fakt gjithçka prej bashkisë së Tiranës është mbajtur e fshehtë duke mos shpërndarë as projektvendimin apo akt ekspertizën. Në materialin e siguruar në rrugë jo zyrtare shihet se vlerësimi i gjendjes së ndërtesës është bërë në vetëm dy ditë, ndërsa ka një nxitim për shembjen e godinës edhe pse vendi është në emergjencë natyrore.