Një ditë pas inspektimit të punimeve në Teatrin e Operas dhe Baletit, kryeministri Edi Rama ka folur sërish për shembjen e Teatrit Kombëtar.
Ai thotë se 21 vjet më parë, në skenën e TKOB nisi beteja publike për reformimin e sistemit teatror shqiptar dhe rindërtimin me themel të skenës kombëtare e të vetë Teatrit Kombëtar.
Rama: Dje, duke vizituar kantierin e Teatrit të ri të Operas dhe Baletit, ku po përfundon një transformim fantastik brenda asaj hapesire deri dje të degraduar që turpëronte Shqipërinë e shtetin e saj, m’u kujtua që 21 vjet më parë, tamam në të njëjtin vend mbi skenë, nisi beteja publike për reformimin e sistemit teatror shqiptar dhe rindërtimin me themel të skenës kombëtare e të vetë Teatrit Kombëtar…
Rama ndjen keqardhje për energjitë e harxhuara e vitet e humbura kot për komunitetit tonë teatror.
Rama: Qysh atëherë kaloi edhe 20 vjet të tjera në kushtet e një mizerjeje pa të dytë në Europë dhe sa keq për publikun artdashës, që nuk pati dot kurrë mundësinë të shijonte artet skenike në kushte dinjitoze as në TKOB e as në Teatrin Kombëtar! Sa keq që tërë ato yje të skenës sonë kombëtare u shuan, pa punuar dot një ditë në një skenë normale dhe një gjeneratë e tërë u moshua, pa shijuar dot kurrë një shfaqje në kushte normale!
Shefi i qeverisë thekson se skenat e reja kombëtare, kjo e Operas e Baletit dhe ajo e Teatrit Kombëtar, përveç të tjerash do t’i ndihmojnë edhe disa të rinj që gabimisht u janë “bashkuar” ca politikanëve e partive si tallashi e teneqeja e ngrehinës së shembur, të kuptojnë nesër pse sot ia fusin krejt kot, kur revoltohen për monumentin imagjinar që mbajti peng artet skenike, komunitetin teatror dhe debatin për Teatrin e Ri Kombëtar, tash 21 vjet.