Ka zgjatur rreth 2 orë protesta e thirrur nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit. Me thirrje kundër qeverisë dhe diktaturës si dhe për ringritjen e Teatrit, protesta ka vijuar paqësisht dhe nuk është shënuar asnjë incident. Dy janë vendimet, nënshkrimi i një peticioni për rindërtimin e teatrit në të gjithë vendin dhe vijimi i protestave. Me tingujt e “Himnit të teatrit”, qytetarë dhe artistë iu bashkuan protestës në Bulevard duke hedhur akuza ndaj qeverisë. Policia e Shtetit ka pasur një numër më të vogël efektivësh për të ruajtur rendin dhe qetësinë në protestën e sotme të thirrur nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, 3 ditë pasi godina e tij u shemb nga fadromat e Bashkisë.
Nesër në ora 11:00, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit do të zhvendosë protestën e saj para Prokurorisë së Rrethit Tiranë.
Lajmi u dha në fund të protestës së sotme nga regjisori Robert Budina.
Ndërkohë, në ditët në vazhdim do të ketë aktivitete në shumë qytete të vendit ku do të firmoset peticioni që kërkon rindërtimin e Teatrit Kombëtar siç ishte dhe në vendin ku ishte.
“Nesër në orën 11: 00 jeni të ftuar para SPAK t’i nxisim të fillojnë hetimet. Nga dita e pasnesërme do dalim qytet më qytet të mbledhin firmat që teatri të jetë aty ku duhet.
Nëse nuk reagon prokuroria, do bëjnë më dije si do veprojmë. Ne do fitojmë me paqe dhe qytetari. Se kur do të vazhdojmë në Tiranë, do ua bëjmë me dije”, u shpreh Budina.