Sipas tij, ndihma polake përmban më shumë se 60 mijë litra dezinfektues sipërfaqesh dhe duarsh si dhe 600 mijë maska kirurgjikale (gjithsej gati 70 tonë mall), çka është e destinuar për spitalet dhe personat që e kanë më të nevojshme në rajon. Ndihma po përcillet nga një autokolonë trajlerash nga shërbimi zjarrfikës polak, i cili ka qenë në Shqipëri edhe në dhjetor 2019 me ndihma për të prekurit nga tërmeti i nëntorit.
Ndihma në fjalë, tha ai, u përgjigjet nevojave të ngutshme të shteteve pritëse, të shpallura midis të tjerash në kuadër të Qendrës Euroatlantike të Reagimit për Situatat e Katastrofave (EADRCC) të NATO-s në rastin e Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut.
“Përcjellja e ndihmës është një shprehje simbolike e solidaritetit ndërkombëtar të Polonisë në kontekstin e luftës kundër pandemisë së COVID-19 dhe pasojave të saj negative social-ekonomike. Që me fillimin e pandemisë, Polonia ka vënë theksin tek rëndësia e bashkëpunimit ndërkombëtar. Detyrimi ynë moral është demonstrimi i solidaritetit dhe ndihma për të tjerët në kohë të vështira. Më herët Polonia u ka dhënë ndihmë në kontekstin e luftës kundër pandemisë së COVID-19 mes të tjerëve Italisë, Spanjës, vendeve të Partneritetit Lindor, para së gjithash Bjellorusisë dhe Ukrainës. Janë planifikuar njëkohësisht edhe veprime të mëtejme ndihmëse. Detyrimi moral në 100-vjetorin e lindjes së Papës Gjon Pali II dhe në shenjë solidariteti me 40-vjetorin e krijimit të Sindikatave të Pavarura Solidarnost, që sollën shembjen e regjimit komunist në Poloni, shkon dorë për dore me këtë ndihmë për popullin shqiptar”, deklaroi Bachura.
Ai theksoi se pandeminë e koronavirusit po e shoqëron një intensifikim i sulmeve kibernetike dhe fushatave dezinformuese nga ana e shteteve të treta. “Po dalin shumë narrativa false që kanë të bëjnë gjoja me paaftësinë e shteteve dhe institucioneve të veçanta për të menaxhuar krizën dhe që cenojnë solidaritetin e Perëndimit, kryesisht NATO-s dhe BE-së. Shumica e tyre është transmetuar përmes kanaleve pro-Kremlin e më pas janë amplifikuar shpesh nga mediume ndërkombëtare të pandjeshme ndaj së vërtetës. Në etapat fillestare të pandemisë edhe Polonia ra viktimë e dezinformimit dhe ishte e shtrënguar t’i korrigjonte informacionet e pavërteta mbi, midis të tjerash, gjoja konfiskimin nga shërbimi doganor polak i mjeteve të mbrojtjes personale të blera nga shtete të tjera. Kundërshtimi i efektshëm i këtyre aksioneve kërkon bashkëpunim të ngushtë të shteteve aleate në kuadër të NATO-s si dhe vendeve anëtare të BE-së. Në rastin e Ballkanit Perëndimor, Bashkimi Europian dhe vendet anëtare janë pa asnjë diskutim dhuruesit më të mëdhenj të ndihmës, qoftë edhe në kontekstin e pandemisë së COVID-19, pavarësisht ndonjëherë narrativave të lançuara nga vende të treta”, tha ambasadori polak.
Ambasadori Bachura tha se, ndihma humanitare polake për vendet e Ballkanit Perëndimor konfirmon rëndësinë që Polonia u kushton marrëdhënieve miqësore me shtetet e rajonit, të cilat vitet e fundit kanë njohur intensifikim të mëtejshëm.