SPAK, Prokuroria e Përgjithshme, juristët dhe opozita kanë dalë kundër projektligjit që i jep të drejtë Policisë së Shtetit për të përgjuar.

Tani edhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit del kundër, ku thotë se ndryshimet e propozuara rrezikojnë të drejtën për privatësi.

Më herët edhe SPAK dhe Prokuroria e Përgjithshme kanë kundërshtuar nismën e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj për përgjimet dhe krijimin e komitetit antikrim.

Në sugjerimet e dërguara për ndryshimet në ligjin e Policisë së Shtetit, Prokuroria e Përgjithshme e cilëson antikushtetues ngritjen e komitetit antikrim në varësi të ministrit të Brendshëm, i cili do të përfshijë edhe dy organe të pavarura të cilat nuk japin llogari para ekzekutivit si prokuroria dhe SPAK.

Krahas kësaj, një tjetër pikë, e cila sipas sugjerimeve të prokurorisë duhet ndryshuar tërësisht, është dhe ajo e përgjimeve. Sipas projekligjit i jepet e drejta që përgjimet të kryhen dhe nga drejtorët e policive vendore ndërsa nuk parashikohet një mekanizëm kontrollues siç është prokuroria.

Sipas prokurorisë, dhënia e së drejtës së përgjimit të punonjësit të policisë jashtë kontrollit të gjykatës si dhe mos përcaktimi qartë në projektligj se çfarë vlere provuese do të kenë faktet e konfirmuara nga Policia e Shtetit, përbën një shkelje serioze të lirive e të drejtave të njeriut.

Gjithashtu në dokument kundërshtohet dhe propozimi për procedimin policor dhe veprimet gjurmuese hetimore duke zhdukur urdhërimin se të gjitha këto veprime kërkojnë autorizim nga prokurori.

 

LEAVE A REPLY