Deputetja e zgjedhur e PD-së Grida Duma në fjalën e mbajtur sot në konferencën e LDGSH, deklaroi se komunikimi në politikë është tre-çereku i suksesit.
Duma shprehet se nëse politikanët flasin si teknicien nuk i thonë gjë publikut, duke theksuar se bota po shkon drejt një komunikimi gjithnjë e më të thjeshtë.
“Nuk e teproj nëse them që mes zonjash dhe mes grash ka një komunikim më specifik se sa mes zotërinjsh dhe burrash, sidomos sa i përket vështirësive dhe elementëve politikë në komunikim. Të qenit grua në politik përbën herë pas here një diferencë apo një habi në politikë. Pyetja e zakonshme është: çfarë do të thotë të jesh grua në politikë? A thua se është gjë e jashtëzakonshme. Shpesh kam zgjedhur të them që të jesh grua në politik, do të thotë të jesh njeri në politikë. Nuk ka një çështje të gruas e burrit, por të njeriut në politik. Cila është sot sfida më e madhe e komunikimit në fushatat elektorale? Në Shqipëri ne e kemi problem të madh të “bëje mirë, bëje vetë” të çdo gjëje.
Shumë pak kemi shkollë politike që njerëzit të hyjnë në politikë me një trajnim të caktuar, që e bëjnë më të lehtë komunikimin. Komunikimi në politikë është tre-çereku i suksesit. Ka pafund raporte, shifra, statistike, që janë përmbajtje e zhvillimit të politikave por asnjëherë nuk i thonë asgjë publikut. Nëse flasim si teknicien, si profesionistë, padyshim që brenda një rrjeti profesionistësh jeni njerëz të nderuar por brenda komunitetit politik është e vështirë të komunikohet përmbajtja, thellësia dhe ajo që dimë ne në thellësi për politikat e zhvillimit. Problemi më i madh është komunikimi i përmbajtjes nëpërmjet një mënyre të thjeshtë.