Nderohet pas vdekjes nga presidenti Meta, gazetari i Tv1 Channel Ymer Striniqi, ikona e gazetarise sportive shkodrane

0
1074

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Gazetarëve Sportivë, Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta vlerësoi me anë të një ceremonie solemne disa gazetarë të spikatur sportivë për kontributet dhe meritat e tyre profesionale në pasqyrimin e garave dhe ndeshjeve sportive. Presidenti Meta dekoroi:
Z.Ymer Striniqi (pas vdekjes) me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për kontributin e shquar si gazetar, komentator i shkëlqyer i ndeshjeve të futbollit nga qyteti i Shkodrës duke shërbyer si një arkivë e pasur historike e futbollit shqiptar.”

Në fjalën e Tij përshëndetëse, Presidenti i Republikës u shpreh:
“Është kënaqësi e veçantë, me rastin e Ditës Botërore të Gazetarëve Sportivë, t’ju përcjell urimin dhe mirënjohjen time më të sinqertë, për të gjithë ju dhe për gjithë komunitetin e gazetarëve sportivë në vendin tonë, kudo ku ata janë. Jam shumë i vetëdijshëm për rolin që gazetarët sportivë kanë për zhvillimin dhe promovimin e sportit dhe të vlerave të tij.
Prandaj dhe dua t’ju falënderoj për punën tuaj të palodhur edhe në këtë situatë të jashtëzakonshme pandemie, duke vazhduar për të promovuar fort vlerat e mirëfillta të gazetarisë sportive. Analizat, opinionet dhe komentet në shtypin sportiv, kanë kontribuar dhe do të kontribuojnë në zhvillimin e një sporti të ndershëm, të shëndetshëm, të suksesshëm dhe dinjitoz. Vlerësoj përkushtimin tuaj, për ngritjen e zërit me forcë kundër shfaqjeve antisportive, po kështu ju falënderoj për sfidat tuaja në pasqyrimin e sukseseve të sportit tonë dhe me idetë që jepni vazhdimisht. Gazetaria sportive është një shkollë e madhe miqësie, vendosmërie, besnikërie, kurajoje, por edhe vëllazërie universale. Gazetarët sportivë, janë ata që angazhohen në kërkimin e shkaqeve reale të rezultateve të dobëta, të konflikteve, por edhe njëkohësisht që propozojnë rrugët për përmirësim dhe zgjidhjen e tyre. Puna dhe përkushtimi juaj është një vlerë e çmuar, jo vetëm në edukimin dhe promovimin e sukseseve të sportit të gjeneratës së sotme, por njëkohësisht edhe në rivlerësimin e legjendave të dikurshme dhe të historisë sonë të mirë, si një frymëzim për gjeneratat aktuale dhe ato të së ardhmes. Prandaj jam shumë i lumtur që të jem sot së bashku me ju, pjesërisht e konsideroj veten pjesë të këtij komuniteti të gazetarëve sportivë, për arsye se si student në vitet 89-90’, kam qenë edhe unë pjesë e emisionit ‘Nga njëra ndeshje në tjetrën’, me shumë emocion e kujtoj atë kohë, pasi ai ka qenë emisioni më i ndjekur në Shqipëri. Në çdo familje që kishte një radio “Iliria” dhe kudo ku kishte njerëz si në autobusë apo rrugë, do e ndiqte ekipin e zemrës, por edhe gjithë kampionatin sportiv, pasi kjo ishte një nga kënaqësitë e veçanta të asaj kohe. Për këtë arsye, jam i lumtur sot që të vlerësoj disa nga ikonat e gazetarisë sonë sportive.

 

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here