Meta kthen në Kuvend ligjin “për të huajt”: Mungon analiza e pasojave, fluksi nga vendet e treta përtej mundësive që ofron Shqipëria

0
851

Presidenti Ilir Meta kthen për rishqyrtim në Kuvend ligjin për të huajt. Në arsyet e kthimit të ligjit Meta shkruan se Shqipëria rrezikon të përballet me një fluks të lartë të kërkesave të detyrueshme për pranim nga shtetas të ndryshëm të vendeve të treta, edhe përtej fushës së rregullimit të këtij ligji, përtej mundësive, kapaciteteve që Shqipëria ka, apo mund të ofrojë, dhe mund të përballojë.

“Nëse Shqipëria nuk po ofron mundësi punësimi, mirëqënie, stabilitet, siguri dhe garanci për shtetasit e saj, si do të mundet të ofrojë mundësi për të huajt në një masë të gjerë?”- arsyeton Meta.

“Ligji nr. 79/2020 “Për të huajt”, edhe pse hyn në llojin e atyre akteve ligjore që mund të miratohen nga Kuvendi i Shqipërisë përmes një shumice të thjeshtë, për nga objekti i marrëdhënieve juridiko- shoqërore që rregullon, krijon një impakt afatgjatë për zhvillimet ekonomiko-shoqërore në vend.

Pikërisht për këtë arsye, nisma të tilla legjislative që formalizojnë qëndrimet politike të Këshillit të Ministrave, duhet të shqyrtohen e miratohen nga Kuvendi i Shqipërisë përmes një procesi sa më të gjerë konsultimi midis shumicës qeverisëse, opozitës, shoqërisë civile dhe organizatave ndërkombëtare, duke vënë në jetë përfaqësimin real të vullnetit të popullit në organin ligjvënës, ku deputetët e zgjedhur prej tyre të shprehin mendimin më të shëndoshë, se çfarë qëndrimi do të duhet të mbahet lidhur me këto çështje dhe cili do të ishte trajtimi më i mirë, propocional dhe i pranueshëm i Republikës së Shqipërisë nga këndvështrimi i marrëdhënieve ndërkombëtare lidhur me këto çështje. Kjo në mënyrë që çdo hap që hidhet, të garantojë zgjidhje afatgjatë dhe të përshtatshme në përputhje me realitetin e zhvillimeve ekonomiko- shoqërore të vendit.

Ndërkohë që veprimtaria ligjvënëse përgjatë legjislaturës së IX-të të Kuvendit, ka patur një qasje të kundërt, kur ligjet janë amenduar shpesh, pa një proces të mirëfilltë analize ex ante dhe ex post të tyre, dhe shpesh në mungesë të një konsultimi gjithëpërfshirës.

Ligji nr. 79/2021, parashikon shfuqizimin e një ligji relativisht të ri, miratuar vetëm në vitin 2013 (ligj nr. 108/2013), e që është ndryshuar së fundmi me ligjin nr. 13/2020, miratuar në datën 12.2.2020.

Siç rezulton nga praktika parlamentare e publikuar, në të njëjtin vit kur Këshilli i Ministrave ka propozuar ndryshime në ligjin ekzistues nr. 108/2013 “Për të huajt”, ka planifikuar njëkohësisht në programin e përgjithshëm analitik të projektakteve edhe ndryshime të tjera, që sot formalizohen përmes ligjit tërësisht të ri nr. 79/2021, objekt shqyrtimi. Kjo situatë është treguesi kryesor i mungesës së një politike të qartë shtetërore në çështjet e migracionit, azilit dhe të trajtimit të të huajve në Shqipëri.”- thuhet në arsyetimin që kreu i Shtetit bën për kthimin e ligjit në Kuvend.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here