Shpërfillet apeli i OBSH-së/ SHBA-ja, Gjermania dhe Franca të vendosura për t’u ofruar dozën e tretë të vaksinës qytetarëve

0
1030

 

Amerika, Gjermania dhe Franca nuk do e marrin parasysh udhëzimin e OBSH-së dhe do vijojnë t’u injektojnë shtetasve të vet një dozë të tretë të vaksinës për t’i mbrojtur nga covid-19.

Organizata Botërore e Shëndetësisë apeloi një ditë më parë që vendet të cilat kanë teprica vaksinash t’ua shpërndajnë ato vendeve më të varfra të cilat kanë mungesa vaksinash.

Shtetet me të ardhura të larta kryen 50 doza për 100 banorë në muajin maj, ndërkohë për shtetet e varfra shifra ishte 1,5 për 100 banorë.

Gjermania, Franca dhe SHBA-ja thonë se rrezikohen nga një valë e katërt e pandemisë ndaj u duhet të shohin interesin e qytetarëve.

“Antitrupat e famshëm humbasin kur sëmuresh, kur je i moshuar dhe me shëndet të dobët. Janë të nevojshme dozat përforcuese, një dozë e tretë, e cila do i ofrohet fillimisht më të rrezikuarve dhe të moshuarve. Bashkë me vendet e tjera europiane, po përgatitemi t’i japim ato me fillimin e vitit të ri shkollor,” tha Presidenti francez Macron.

Ministria gjermane e Shëndetësisë tha se do u dhurojë shteteve të varfra të paktën 30 milionë vaksina covid, por gjithashtu pret përkeqësim të situatës epidemiologjike prej variantit Delta.

Nga shtatori doza e tretë do u ofrohet pacientëve me imunitet të dobët, të moshuarve dhe banorëve të klinikave që kujdesen për ta.

Edhe Amerika paralajmëron se për vendimin e saj për dozën përforcuese do të mbështetet te vendimi i FDA-së, jo te kërkesa e OBSH-së.

“Në vendin tonë kemi doza të mjaftueshme për të garantuar vaksinimin e çdo amerikani. Nëse FDA-ja i rekomandon, kemi doza edhe për përforcuar imunitetin e një pjese të popullsisë. Besojmë se mund t’i bëjmë të dyja,” tha zëdhënësja e shtëpisë së bardhë, Jen Psaki.

Amerika, Gjermania dhe Franca kanë imunizuar plotësisht gjysmën e banorëve, ndërsa në gjithë botën janë kryer mbi 4,3 miliardë vaksina kundër covid-19.

Izraeli u bë javën e kaluar vendi i parë që u ofron qytetarëve të vet dozën e tretë të vaksinës Pfizer/BioNTech për personat mbi 60 vjeç që janë vaksinuar mbi 5 muaj më parë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here