Arrestohen fermerë të Lezhës, Mirditës dhe Dropullit, që dogjën qindra ha pyje dhe kullota

0
846

 

Policia e Lezhës, e Mirditës dhe ajo e Dropullit, kanë bërë arrestimin e banorëve të zonave, fermerë që ishin nisur për të djegur plehrat në oborret e tyre dhe më pas, nga pakujdesia, flakëtu  kanë marrë përmasa të mëdha duke djegur qindra ha pyje dhe kullota.

Policia e Lezhës arrestoi 52-vjeçarin Petrit Leka nga Zejmeni i Lezhës, pasi zjarri me të cilin dogji mbeturinat pranë shtëpisë, çoi në djegien e një sipërfaqeje të madhe me barishte dhe kullota. Shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me zjarrfikësen, kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve, duke parandaluar përhapjen e zjarrit i cili rrezikonte disa banesa dhe lokale, si dhe automjetet, pasi ishte anës rrugës kryesore në aksin Lezhë-Milot.

Policia e Mirditës ka arrestuar 66-vjeçarin Preng Luçia nga fshati Gjakëz, pasi zjarri që ndezi në oborrin e tij doli jashtë kontrollit dhe dogji një sipërfaqe të madhe me pyje dhe disa banesa të braktisura në fshatin Gjakëz të Mirditës.

Policia e Lezhës po ashtu procedoi penalisht 70-vjeçaren Gjyste Vata nga Balldreni, e cila, pasi ndezi zjarr në kanalin kullues, s’e ndali dot më dhe dogji një sipërfaqe me bimësi në fshatin Balldre, Lezhë.  Policia e Lezhës tha se janë të angazhuara maksimalisht për të parandaluar, evidentuar dhe goditur rastet e zjarrvënies.

Ndërsa në jug të vendit, Policia e Gjirokastrës ka proceduar dy persona, që kanë shkaktuar zjarr dhe kanë djegur toka në fshatin Radat dhe Memaliaj.

Policia e Dropullit procedoi penalisht V.O, banues në fshatin Radat të Dropullit, pasi gjatë punimeve me troho në bahçen e tij, shkaktoi zjarr. Si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe toke me bimësi në rrethinat e fshatit Radat.

Po ashtu, Policia e Memaliajt procedoi M. B., 51 vjeç, banues në fshatin Memaliaj, pasi duke djegur disa barëra në pronën e tij, zjarri i ka dalë jashtë kontrollit duke djegur një sipërfaqe toke.

Policia e Shtetit bëri apel sërish për të gjithë banorët, që në asnjë rast mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do përballen me ligjin dhe ftoi qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital për çdo rast.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here