Amerikanët të cilët vuajnë nga sëmundjet imunitare do të lejohet të marrin dozën e tretë përforcuese të vaksinës së kovidit-19.
Agjencia që çertifikon ushqimet dhe barnat në SHBA njoftoi se dozat e kompanive “Pfizer-BioNTech” dhe “Moderna” mund t’u jepen personave që janë veçanërisht të rrezikuar nga infektimi me virusin korona, siç janë pacientët që kanë kryer së fundmi transplante organesh ose individët me organizëm të dobësuar nga kurimi për sëmundjet si kanceri apo sida.
Në një situatë të tillë e gjejnë veten më pak se 3 për qind e amerikanëve dhe mbi 40 për qind e atyre që kanë përfunduar në spital prej kovidit.
Paraprakisht është thënë se personat e shëndetshëm që janë vaksinuar plotësisht, edhe të moshuarit, janë të mbrojtur dhe nuk u nevojitet doza e tretë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka kërkuar të mos përdoren dozat përforcuese përpara tetorit, në mënyrë që sasia t’u ndahet vendeve të varfra që kanë kryer pak vaksinime.
Kompania biofarmaceutike, “Pfizer” ka thënë se vaksina e saj mbetet 84 për qind efikase në luftimin e koronavirusit pas katër muajsh nga marrja e dozës së dytë, dhe se efikasiteti në fazën fillestare arrin kulmin në 96 për qind.
Deri tani më shumë se gjysma e rreth 330 milionë banorëve të SHBA-së i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës, ndërsa varianti Delta i virusit vijon ta përhapë valën e infektimit me gati 110 mijë infektime ditore mesatarisht.