Arti ne zi, ndahet nga jeta muzikanti shkodran Kujtim Alija !

0
763
Ka ndërruar jetë muzikanti i mirënjohur shkodran Kujtim Alija. Prej kohësh profesor Alija vuante nga një semundje e rëndë.
Homazhet mbahen nesër në teatrin “Migjeni” nga ora 9-11.
Tv1 Channel i shpreh ngushëllimet familjarëve të profesor Kujtim Alisë.
Pofesor Alija ka mbaruar Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, nën drejtimin e dirigjentit, Artistit të Popullit, Rifat Teqja, mbas shkollës së muzikës “Prenkë Jakova” të Shkodrës.

Pas diplomimit ka filluar punën në qytetin e Shkodrës ku ka organizuar dhe drejtuar koncerte e veprimtari të ndryshme artistike si brenda, ashtu edhe jashtë Shqipërisë, me Filarmoninë e Shkodrës, Orkestrën frymore si dhe formacionin e harqeve. Festivali i parë shqiptar i këngës për fëmijë u zhvillua në Shkodër, më 10-11 maj 1963, një vit pas Festivalit të Këngës në Radio.

Kjo bëri që ky festival të mbesë deri më sot, si të thuash “Pronë” e këtij qyteti. Ky festival në vite zbuloi dhe u dha rrugën e artit shumë talenteve të cilët më vonë shkëlqyen në skenat shqiptare dhe ato botërore.

Është ideatori, organizatori dhe themeluesi i veprimtarisë “Bilbilat e vegjël në Shkodër këndojnë”, veprimtari që konsiderohet si një ndër aktivitetet më të rëndësishme për fëmijë, që aktualisht organizohet për të 22-tin vit me radhë në Shkodër, si një ndër aktivitetet më të rëndësishme të botës fëminore, duke evidentuar nivelin e mirë të pjesëmarrësve. Edicioni ka tërhequr vëmendjen e shikuesve të shumtë, përmes një organizimi model, i realizuar bashkë nga Drejtoria Rajonale e Arsimit, me mbështetjen e Bashkisë.

Kujtim Alija me mbështetjen e Bashkisë së Shkodrës, bëri të mundur rifunksionimin e Bandës muzikore të qytetit, e cila për disa vite me radhë nuk ishte efektive. Pas një pune intensive me këtë trupë, dha me sukses premiera të vazhdueshme. Rrjedhojë e kësaj pune të vazhdueshme është edhe të fituarit e Çmimit të parë në Festivalet Kombëtare të Orkestrave Frymore në Sarandë, për katër herë rresht.

I dekoruar nga Presidenti i Republikës me Urdhrin “Naim Frashëri” i Argjendtë dhe nga Bashkia e Shkodrës me titullin “Mirënjohje e Qytetit” dhe pas 32 festivaleve, në qershor 2017, me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”. Planet e Kujtimit për të ardhmen janë aktivitetet artistike, me të cilat ka ndarë jetën, si: Festivali Mbarëkombëtar i Këngës për Fëmijë (që këtë vit realizoi me shumë sukses edicionin e 55-të, kurse z. Alija të 32-tin si drejtor artistik dhe dirigjent). Festivali Mbarëkombëtar i Këngës për Fëmijë, në këtë qershor, në Shkodër, në jubileun e tij të 55-të, erdhi si gjithnjë më i pasur dhe më i arrirë e natyrisht meritat më të mëdha i meriton ai, që ka vite që e udhëheq dhe që jo më kot për këto merita, u laurua me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.

Ky titull iu dorëzua maestros Alija mes emocionesh dhe ovacionesh, që solli Festivali. Me modesti e emocion Mjeshtri Kujtim Alija falenderoi Presidentin e Republikës, por falënderimet më të mëdha ia dedikoi qytetit të tij dhe fëmijëve të mrekullueshëm që e kanë gëzuar dhe e kanë bërë krenar për gjithë jetën. Nuk kishte vend më të bukur për t’i dhënë titullin z. Alija sesa Festivali, sepse aty merrnin pjesë fëmijë nga të gjitha trevat shqiptare dhe kjo gjeografi e pasuronte këtë festival nga viti në vit.

@shkodrainfo

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here