Vodhi 1 mln lekë medikamente për Covid dhe tumore në farmacinë e spitalit, arrestohet infermieri

0
897

Një infermier i urgjencës së spitalit të Korçës ka rënë në prangat e policisë për vjedhjen e medikamenteve në farmacinë e këtij spitali. Bëhet fjalë për shtetasin Nikolin Ciko 43 vjeç.

Janë dy episode të kryera. Vjedhja e parë ka ndodhur në 8 mars të këtij viti ndërsa e dyta dhe e fundit një ditë më parë, 30 gusht 2021.

Në të dy rastet, infermieri ka arritur në të marrë  në farmacinë e Spitalit Rajonal Korçë një sasi e konsiderueshme medikamentesh e pajisjesh mjekësore me vlerë mbi 1.000.000 lekë.

“Nga veprimet hetimore të kryera rezultoi se, ky shtetas kishte vjedhur në farmacinë e Spitalit, një sasi medikamentesh dhe pajisjesh mjekësore, të cilat shërbenin për trajtimin e pacientëve me COVID-19 dhe me sëmundje tumorale, ku në cilësinë e provës materiale iu gjet e sekuestrua sasia e medikamenteve” njoftoi policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penale “Vjedhja”, me pasoja të rënda.

Infermieri u denoncua nga emisioni investigativ

Ciko nuk është një emër i panjohur për publikun. Në shtator të 2020 ai u denoncua nga emisioni investigativ “Fiks Fare”se  shfrytëzonte situatën e krijuar nga Covid-19 për të patur përfitime personale.

Infermieri i urgjencës në Korçë ofronte shërbim në shtëpi për pacientët kundrejt pagesës prej 5000 lekësh në ditë, përveç ilaçeve që shkonin deri në 100.000 lekë.

Infermieri luante edhe rolin e mjekut, duke përcaktuar diagnozën me një grafi dhe po ashtu lëshonte recetën për kurën e Covid.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here