Pas kthimit nga presidenti Meta, ligji “Për bashkëqeverisjen” është diskutuar sot në Komisionin Parlamentar për Çështjet Ligjore.

Këshilltari ligjor i Presidentit Bledar Dervishaj argumentoi në komisionin e ligjeve  se ligji për bashkëqeverisjen i kthyer në parlament nga kreu i shtetit, cënon parimet kushtetuese dhe centralizon kontrollin tek një institucion në varësi të kryeministrit.

“Detyra e kryeministrit nuk është të krijojë një agjenci në varësi të tij që të ndërmjetësoje marrëdhëniet me qytetarët. Krijimi i një agjencie të re në varësi të kryeministrit nuk përputhet me rolin, misionin, dhe detyrat e administratës shtetërore. Një tjetër problem është mbivendosja e kompetencave, centralizimin e pushtetit. Një tjetër problematikë ka të bëjë me parashikimet e ligjit për të ruajtur autonominë e pushtetit vendor. Agjencia për dialog mund të marrë edhe kompetenca për pushtetin vendor. Një parashikim i tillë bie ndesh me decentralizimin e pushtetit vendor. Këshilli i Ministrave e ka humbur komplet idenë e parimeve kushtetuese, megjithatë është detyrë e Kuvendit që të distancohet. Kuvendi nuk duhet ta miratonte, por duhet të ishte udhëhequr nga parimi i shtetit të të drejtës, ndarjes së pushteteve, decentralizimit të pushtetit vendor. Cila është nevoja e krijimit të këtyre institucioneve? Është e pritshme të krijojnë ndonjë situatë pasigurie juridike. Një tjetër problematikë është se Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje merr edhe kompetenca propozuese të akteve para Këshillit të Ministrave, ndërkohë që një e drejtë e kësaj natyre i takon kryeministrit, ministrave. Këshilli i Ministrave dhe Kuvendi duhet tu jepe përgjigje pyetjeve a ka administrata shtetërore struktura të brendshme apo organe që monitoron apo merr procedura administrative ndaj funksionarëve që shkelin ligjin apo abuzojnë me detyrën, nëse do tu jepnin përgjigje atëherë natyrshëm që shumë prej dispozitave nuk do miratoheshin dhe as do ishin pjesë përbërëse e tij.”- u shpreh Dervishja.

E pranishme në mbledhjen e komisionit, Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, nismëtare e këtij ligji u shpreh bëhet fjalë për mekanizma komplementare dhe jo zëvendësuese me institucionet e tjera.

“Pr.ligji i është nënshtruar njoftimit për konsultim publik, në lajmërimin që është shpallur në mënyrë elektronike. Nuk janë paraqitur vërejtje dhe sugjerime nga subjekte të interesuara. Presidenti ka argumentuar vetëm që ka përsëritje e parimeve të parashikuara në kod, por ky nuk është mosrespektim i tij, por parashikon koherencën në raport me kodin. Presidenti nuk ka analizuar asnjë normë të ligjit që të bjerë në kundërshtim me parashikimet e kodit. Nuk merr përsipër të zëvendësojë parashikimet e kodit. Mekanizmat janë komplementare dhe alternative, jo zëvendësuese të institucioneve. Në ligj nuk ka as kundërshti, as mbivendosje, nuk cenohen parimet dhe dispozitat kushtetuese. Ligji nuk bie ndesh me ligjin për ndërmjetësin, sepse nuk trajton statusin dhe të drejtat e ndërmjetësve. Kontrolli që do kryejë agjencia nuk ndërhyn në procedurë apo përmbajtje në kontrollet e institucioneve të tjera. Nuk ka vend për diskutime për centralizimin. Sa i përket autonomisë vendore, parimi i autonomisë mbetet i cenuar. Njësitë qendrore përfshihen vetëm me marrëveshje, me shprehje të vullnetit të tyre. Arsyet e kthimit nga presidenti janë të pabazuara.”- u shpreh Spiropali.

Kujtojmë se Presidenti Meta nuk e dekretoi me miratim këtë ligj pasi sipas tij cenon dispozita konkrete të Kushtetutës dhe parimet kushtetuese të shtetit të së drejtës, parimin e autonomisë vendore, parimin e sigurisë juridike, hierarkinë e akteve, si dhe centralizon edhe më shumë kontrollin dhe pushtetin tek një institucion në varësi direkte nga Kryeministri.