Friday, October 7, 2022
HomeAktualitetRritja e çmimeve, Milo: Kontrolli nga shteti nuk është rruga për të...

Rritja e çmimeve, Milo: Kontrolli nga shteti nuk është rruga për të rregulluar tregjet

-

Kontrolli i drejtpërdrejtë i çmimeve nga shteti nuk është rruga e duhur për të rregulluar tregjet dhe jep mesazhe të gabuara tek operatorët. Lindita Milo (Lati), ish-kryetare e Komisionit të Konkurrencës, thotë se shërbimi më i madh që mund t’u bëjë shteti konsumatorëve është garantimi i konkurrencës së lirë dhe të ndershme në tregje.

Së fundmi, qeveria shqiptare ka vendosur të ndërhyjë në disa tregje sensitive, si ai i karburanteve apo produkteve ushqimore, duke vendosur kufizime të çmimeve të shitjes. Cili është mendimi juaj rreth këtyre masave?

Ngjarjet e fundit janë një gërshetim i disa faktorëve, por më kryesorët, nga pikëpamja e sjelljes së firmës në treg janë dy: niveli i lartë i pasigurisë për të nesërmen dhe mundësia e abuzimit me çmimet dhe cilësinë e produkteve të ofruara. Sipas International Transperency, në mënyrë sistematike, është evidentuar se, në kushtet e krizave ka një nivel të lartë të korrupsionit, por edhe një prirje për përfitime të padrejta apo abuzuese të operatorëve të tregut. Bazuar në një gjykim të sipërfaqshëm, nisur nga parimet e nivelit të pasigurisë dhe të riskut, firma apo bizneset mund të jenë të lirë të vendosin çmimet, që të mundin të kenë një nivel të sigurt të fitimit, por në thelb, kjo politikë bie në kundërshtim me parimet themelore të funksionimit të një tregu, sipas të cilit biznesi nuk ka jetëgjatësi, nëse nuk mendon për klientin apo blerësin e tij.

Përvoja ka treguar se në kushtet e keqfunksionimit të tregut, pra, në kushtet e pabarazisë para ligjit dhe sigurimit të fitimeve apo përfitimeve të padrejta nga evazioni, informaliteti apo fondet publike, biznesi nuk mendon për klientin apo blerësin, por mendon si ta ketë mirë me shtetin.

Mendoni se kontrolli i çmimeve nga shteti është një mënyrë e përshtatshme për të rregulluar tregjet dhe për të mbrojtur konsumatorët?

Kontrolli i drejtpërdrejtë i çmimeve nga shteti, apo ndërhyrja në një masë drastike të shtetit në tregje, në formën që po aplikohet në vendin tonë, nuk është rruga e duhur.

Së pari, duhej që nëpërmjet politikave strukturore të mundësohej që tregu të kishte frymëmarrje për lirinë e hyrjeve dhe të daljeve të operatorëve të tregut. Roli i shtetit është promovimi dhe mundësimi i barazisë në treg. Këto politika do të mundësonin një treg më funksional, në të cilin operatorët do të kundërvepronin edhe në kohë krizash, si kjo që po kalojmë në mënyrë më racionale dhe objektive në kontekstin e vendit dhe të karakteristikave të fuqisë blerëse, pasi do të kujdeseshin për vijueshmërinë e biznesit në mënyrë afatgjatë dhe të shëndetshme. Dhe kjo është politika e duhur për mbrojtjen e konsumatorit.

Së dyti, në vendin tonë janë ngritur dhe funksionojnë të gjitha institucionet publike të pavarura dhe të qeverisjes qendrore dhe vendore, të cilat po të bashkëveprojnë, kanë të gjithë infrastrukturën ligjore dhe administrative që të ushtrojnë kontrollet dhe presionet për të parandaluar, për të evidentuar e, për rrjedhojë, për të ndaluar rastet e abuzimeve të operatorëve të tregut me çmimet dhe me cilësinë e produkteve të ofruara për konsumatorin shqiptar.

Çfarë efektesh mund të japë një politikë e tillë për konkurrencën në tregjet e prekura dhe në ekonomi?

Qasja e qeverisë shqiptare është deklaruar se do të jetë e përkohshme, por mendoj se jep mesazhe shumë të gabuara tek operatorët e tregut. Në këto kushte, mendoj se do të duhet që institucionet e pavarura të mbikëqyrjes së tregjeve të rregulluara dhe Autoriteti i Konkurrencës duhet të rrisin transparencën, nëpërmjet instrumenteve të advokacisë së konkurrencës. Duke shprehur qartë se partneriteti me biznesin në mbrojtjen e lojës së lirë të tregut është rruga e vetme për mbrojtjen reale të konsumatorit.

Related articles

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow
3,518FollowersFollow
3,572SubscribersSubscribe
spot_img

Latest posts