Friday, April 19, 2024
HomeAktualitetLiritë fetare, raporti nga DASH: Shqipëria dhe Kosova me probleme të trashëguara

Liritë fetare, raporti nga DASH: Shqipëria dhe Kosova me probleme të trashëguara

-

Nga: Zëri i Amerikës

Departamenti amerikan i Shtetit publikoi të enjten raportin e tij vjetor mbi gjendjen e lirisë së besimit në botë, që përfshinë të dhëna për gjendjen e lirisë së besimit në 200 shtetet e territore dhe dokumenton shkeljet e kryera nga qeveritë, grupet terroriste dhe individët. Raporti analizon në kapituj të veçantë edhe gjendjen e lirisë së besimit në Shqipëri dhe Kosovë.

SHQIPËRI

Raporti sërish nënvizon se kushtetuta e Shqipërisë garanton lirinë e besimit. Ajo përcakton se nuk ka një fe zyrtare, thotë se shteti është neutral në çështjet e besimit, njeh barazinë dhe pavarësinë e grupeve fetare dhe ndalon diskriminimin në baza fetare. Qeveria ka marrëveshje me Komunitetin Mysliman Shqiptar, Komunitetin Mysliman Bektashi, Kishën Katolike, Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare dhe Vëllazërinë Ungjillore të Shqipërisë. Këto marrëveshje i njohin këto grupe si komunitetet kryesore fetare të vendit dhe trajtojnë kthimin e pronave dhe rregullime të tjera.

Qeveria, thuhet në raport, legalizoi 62 ndërtesa në pronësi të grupeve fetare gjatë vitit 2021, që ishin ndërtuar pa leje ndërtimi, krahasuar me 92 sa ishin legalizuar në vitin 2020. Ndërsa 25 prona të tjera mbetën në shqyrtim. Pesë bashkësitë fetare, që kanë marrëveshje me qeverinë, vazhduan të shprehin shqetësime për kthimin e pronave të konfiskuara gjatë regjimit komunist, duke deklaruar se korrupsioni, mungesa e njohurive të qeverisë për kompetencat dhe juridiksionin për çështjet e pronësisë dhe ngarkesat e mëdha të çështjeve në sistemin gjyqësor, penguan përmbushjen e kërkesave të tyre.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës, e cila në vitin 2020 krijoi një regjistër zyrtar për të treguar sasinë, vlerën dhe pronësinë mbi pasuritë e patundshme, raportoi sfida në procesin e kthimit të pronave që shfrytëzohen nga palët e tjera, duke siguruar kompensim me prona të tjera, ose duke paguar kompensim në para. Drejtuesit e Vëllazërisë Ungjillore raportuan për vështirësi të vazhdueshme për sigurimin e lejes për ndërtimin e objekteve të adhurimit. Komuniteti Bektashi dhe Komuniteti Mysliman raportuan sërish probleme për mbrojtjen e të drejtave të tyre mbi disa prona.

Pesë bashkësitë kryesore fetare vazhduan t’i kërkojnë qeverisë lirimin nga taksa të caktuara shtetërore, sipas marrëveshjeve dypalëshe. Megjithëse, mbështetën masat e qeverisë për parandalimin e COVID-19-tës, udhëheqësit fetarë u ankuan se qeveria nuk u është përgjigjur kërkesave të tyre për ndihmë financiare për t’u përballuar me ndikimin e pandemisë, dhe se kufizimet në tubimet publike, penguan mbledhjen e fondeve.

Në shtator, qeveria dhe Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit hapën procesin e tenderit për ndërtimin e një muzeu në Vlorë, kushtuar përpjekjeve të vendit për të mbrojtur hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Raporti përmend se në prill, një burrë sulmoi besimtarët në një xhami në Tiranë, duke plagosur pesë veta. Prokurorët kërkuan që sulmuesi, i konvertuar në Islam, të shtrohej në spital për shkak të një historie të sëmundjes mendore. Sipas një raporti të Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRI), shumica e mediave në vend që u referohen hebrenjve, u përqendruan në kujtimin e Holokaustit dhe marrëdhënieve të mira të vendit me Izraelin, megjithëse kishte disa shkrime që përhapnin teori konspirative për hebrenjtë.

Related articles

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow
3,912FollowersFollow
3,572SubscribersSubscribe
spot_img

Latest posts