Tuesday, August 16, 2022
HomePolitikëRaporti për 2021-shin/ Kryeprokurori Olsian Çela: Prioritet lufta kundër pastrimit të parave,...

Raporti për 2021-shin/ Kryeprokurori Olsian Çela: Prioritet lufta kundër pastrimit të parave, janë rritur rastet e hetuara për korrupsion

-

Kryeprokurori Olsian Çela ka prezantuar në Kuvend raportin për vitin 2021. Çela deklaroi se prioritet ka qenë lufta kundër pastrimit të parave ku është në vënë në funksion edhe sistemi elektronik për të përfituar më shumë të dhëna për personat nën hetim.

“Në përmbushje të detyrimit të parashikuar po parashtroj një përmbledhje të raportit për vitin 2021. Ka trajtuar 61015 materiale. Nga prokurorët janë ndjekur mbi 47 mijë procedime penale nga të cilat 28 mijë janë procedime të regjistruara këtë vit. Ka një rritje të procedimeve penale të mbartura.

Sa i përket gjykimeve të posaçme nuk janë të kënaqshme të dhënat. Në lidhje me vendimet e gjykatës rezulton se janë dënuar mbi 8000 të pandehur. Për 144 prej tyre është dhënë vendimi për të deklaruar ata të pafajshëm.

Lufta kundër pastrimit të parave ka qenë objektiv prioritar. U vu në funksion sistemi elektronik për të përfituar të dhëna gjithëpërfshirëse. Në kuadrin e forcimit të kapaciteteve prokuroria ka bashkëpunuar me institucione ndërkombëtare”, tha ai.

Raporti i plotë:

Në përmbushje të detyrimit të parashikuar në nenin 148/b shkronja “d” të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nenin 104 të ligjit nr.97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, kuvendit i është paraqitur raporti vjetor mbi gjendjen e kriminalitetit për vitin 2021. Në vijim po ju parashtroj një përmbledhje të pikave kryesore të këtij raporti.

• TREGUESIT KRYESORË

Gjatë vitit 2021 prokuroria ka trajtuar në total 61015 materiale , që përbën një rritje prej 4,35 % në krahasim me vitin 2020. Janë ndjekur nga prokurorët 47512 procedime penale, me një rritje prej 5,97 % në krahasim me një vit më parë, nga të cilat 28368 janë procedime penale të regjistruara në 2021, edhe këto me një rritje prej 1,71 %. Ndërkohë rezulton një rritje e procedimeve penale të mbartuara në masën 11,65 %. Prokuroritë kanë vendosur mosfillimin e procedimit për 13503 referime dhe kallëzime penale.

Përqindjen më të ulët të kriminalitetit për 100.000 banorë edhe në vitin 2021 e ka qarku Dibër, ndërsa përqindjen më të lartë e ka qarku Vlorë. Sa i përket tendencës, vërehet se për vitin 2021 rritjen më të lartë e ka qarku Kukës me 36 %, ndërsa qarku Dibër ka koeficient të kriminalitetit nën mesataren kombëtare, por që rezulton me rritje 4,62 % krahasuar me një vit më parë.

Evidentohet se veprat penale kundër rendit dhe sigurisë publike përbëjnë numrin më të lartë të procedimeve penale të regjistruara me 28,88 % të numrit të përgjithshëm, me një rritje 9,62 % krahasuar me vitin 2020. Ato pasohen nga vjedhjet e pasurisë, që përbëjnë 27,86 % të numrit të përgjithshëm të procedimeve të regjistruara, por me ulje 12,67 % krahasuar me një vit më parë.

Referuar të dhënave statistikore dhe informacioneve të drejtuesve të prokurorive në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm, evidentohet se në vitin 2021 janë filluar kryesisht 125 procedimeve penale ose me rritje 104,91 % të numrit të procedimeve të filluara kryesisht krahasuar me vitin 2020 që ishte 61 procedime.

Prokurorët sipas kërkesave dhe procedurave ligjore, në vitin 2021 kanë rritur rolin aktiv në kryerjen e hetime proaktive me përdorim të mjeteve të posaçme të hetimit në 655 procedime penale ose me rritje 3.9 % të numrit të procedimeve proaktive krahasuar me vitin 2020. Ky proces i ka shërbyer, si parandalimit dhe ndërprerjes së mëtejshme të veprimtarisë kriminale, ashtu dhe goditjes me arrestimin në flagrancë apo ndalimin e 640 personave të dyshuar për kryerjen e veprave penale.

-Gjatë vitit 2021 janë përfunduar 25688 çështje 40,86 % janë dërguar për gjykim, 22,62 % janë pushuar, 33,72 % janë pezulluar dhe 2,8 % janë transferuar në prokuroritë kompetente.

-Nga prokuroritë është ngritur dhe përfaqësuar akuza në gjykatë në emër të shtetit për 10507 procedime penale (rritje prej 5,07 % në krahasim me vitin 2020) me 12353 të pandehur (rritje prej 7,14 % në krahasim me vitin 2020). Gjithashtu, janë paraqitur në gjykatë 14573 kërkesa për caktimin e masave të sigurimit personal (rritje 24,12 % në krahasim me vitin 2020).

Sa i përket gjykimeve të posacme, nuk janë të kënaqshme të dhënat për numrin e kërkesave për urdhra penalë dhe miratimin e marrëveshjeve të fajësisë që kanë pësuar ulje të ndjeshme, me përjashtim të gjykimeve të drejtpërdrejta që kanë një rritje nga një vit më parë.
Në lidhje me vendimet e gjykatës, rezulton se janë dënuar 8371 të pandehur, dhe për 144 të pandehur është dhënë vendim për deklarimin të pafajshëm ose krahasuar me vitin 2020 me rritje 4,35 % e numrit të pandehur të dënuar dhe ulje 5,26 % e numrit të pandehurve të deklaruar të pafajshëm.

II) Lufta kundër pastrimit të parave, krimeve financiare dhe hetimeve pasurore, edhe për vitin 2021 ka qenë objektiv prioritar institucional, në përmbushje të kërkesave e rekomandimeve të institucioneve kushtetuese dhe ndërkombëtare.

U përgatit dhe u vu në funksion sistemi elektronik e-tracking PRESTO, me synim për të përftuar të dhëna statistikore gjithëpërfshirëse në këtë aspekt. Rezultatet e arritura në zbatimin e këtij sistemi janë vlerësuar në vijimësi nga ekspertët e ICRG/FATF në raport-progresin për zbatimin e këtij plani veprimi.

-Në kuadrin e forcimit të kapaciteteve profesionale, Prokuroria e Përgjithshme ka bashkëpunuar me projektet ndërkombëtare që asistojnë sistemin e drejtësisë penale, të cilët kanë mbështetur dhe kontribuar në aktivitetet që lidhen si me trajnimet e prokurorëve dhe opgj në këtë drejtim, ashtu dhe në drejtim të përgatitjes së një manuali për hetimin e pastrimit të produkteve të veprës penale.

-Rezultati i këtyre masave, është progresi i evidentuar me rritjen e efektivitetit në hetimet për veprat penale të pastrimit të produkteve të veprës penale pasi sipas të dhënave statistikore në vitin 2021 evidentohet se janë regjistruar 301 procedime penale të reja me 56 të pandehur, dhe 18 procedime me 33 të pandehur u dërguan për gjykim, si dhe 21 persona janë dënuar. Këto tregues evidentojnë një rritje prej 7.01 % të procedimeve të regjistruara dhe një rritje prej 31.25 % të personave të dënuar për nenet 287 dhe 287/b të Kodit Penal.
Megjithë rezultatet e arritura, vlerësoj se ende mbetet shumë për të bërë në drejtim. Kjo kërkon patjetër një angazhim serioz të të gjitha institucioneve përgjegjëse.

Related articles

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow
3,434FollowersFollow
3,572SubscribersSubscribe
spot_img

Latest posts