Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha shprehet se Shqipëria shënon një rekord të zi sa i takon shpopullimit.
Në një postim që ka bërë në rrjetet sociale, Berisha tha se vendi ynë renditet në 10 vendet me shpopullimin më të shpejtë në botë. Berisha ka kritikuar ashpër qeverinë, duke thënë se arsyet se përse shqiptarët zgjedhin të ikën është ekonomia, vjedhja dhe mashtrimi që u bëhet.
Postimi i plotë
Rekord i zi! Shqiperia renditet në 10 vendet me shpopullim të shpejtë në botë. Nga viti 2007 deri në vitin 2014 popullata në Shqiperi u rrit çdo vit. Nga viti 2015 deri më sot, mbi 540 mijë banorë janë larguar nga Shqipëria. Miq, e kam thënë dhe e përsëris, shpopullimi i Shqipërisë është plaga më e madhe për kombin tonë, dhe po ndodh me ritme marramendëse. Sot është fakt, dhe është strategji prioritare e Ramës dhe qeverisë së tij të cilët po bëjnë gjithçka për ta shkretuar Shqipërinë një orë e më parë. Sipas Kombeve të Bashkuara, Shqipëria renditet në 10-shen e parë për nga ritmi i shpejtë i shpopullimit. Ndër arsyet me kryesore që rendisin Shqipërinë në vendin e 10-të, janë ulja e lindjeve si dhe emigrimi.
Të dy këta faktorë lidhen ngushtë me gjendjen ekonomike të shqiptarëve të cilët sa vijnë e varfërohen, vidhen, mashtrohen, e për rrjedhojë e kanë të pamundur të planifikojnë krijimin e një familje dhe të papërballueshme sjelljen në jetë të fëmijëve. Po ashtu, për shkak të mjerimit dhe pamundësive, shqiptarët zgjedhin të emigrojnë në vende të Bashkimit Europian, në Amerikë e më gjerë. Të dhënat e OKB-së, të përpunuara nga “Visual Capitalist”, janë mbledhur për të projektuar ndryshimet nga viti 2020-2050. Në Shqipëri, rënia nga viti 2020-2050, llogaritet me 15.8%. Kjo është një fatkeqësi e madhe për vendin tonë dhe pasojat do të jenë gjithnjë e më të thella, më të dëmshme për shoqërinë tonë dhe për më tepër pa kthim pas. Sb