Tuesday, March 18, 2025
HomesocialeLiria e shprehjes dhe e medias në këndvështrimin e Gjykatës Evropiane të...

Liria e shprehjes dhe e medias në këndvështrimin e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut

-

 

Liria e shprehjes e sanksionuar në një sërë aktesh kombëtare dhe ndërkombëtare është një nga kushtet e pandara tëekzistencës së demokracisë dhe njëkohësisht një nga instrumentet më thelbësorë dhe efikas, për të garantuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në vijim Konventa)ka parashikuar në nenin 10 të saj të drejtën e lirisë së shprehjes, si një e drejtë që e gëzon çdokush dhe që përfshin lirinë e mendimit dhe lirinë për të marrë ose për të dhënë informacione dhe ide pa ndërhyrjen e autoriteteve publike dhe pa marrë parasysh kufijtë. Ky nen i Konventës është interpretuar ndër vitenëpërmjet vendimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GjEDNj). Neni 10 i Konventës nuk përmend në mënyrë të hapur lirinë e medias, por GjEDNj ka zhvilluar jurisprudencë të gjerë duke formuar një grup parimesh dhe rregullash që i japin “medias” një status të veçantë në gëzimin e lirive që përbëjnë nenin 10. Jurisprudenca e GjEDNj ka vendosur një mbrojtje të fortë ndaj lirisë së shprehjes, dhe në veçanti tëmedias në misionin e saj informativ dhe investigues, ndaj politikanëve dhe përfaqësuesve të zgjedhur.

GjEDNj e ka konsideruar Konventën si “një instrument të gjallë”, teksti i së cilës nuk mund dhe nuk duhet të interpretohet jashtë jurisprudencës së GjEDNj. Kështu, me ratifikimin e Konventës, autoritetet kombëtare të të gjitha shteteve nënshkruese (duke përfshirë këtu edhe Shqipërinë), duhet të konsiderojnë vendimet e Gjykatës si akte të detyrueshme.

Sa i përket fuqisë juridike të vendimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në sistemin tonë juridik, i referohemi dhe jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, e cila në Vendimin Nr. 20, datë 01.06.2011 ndër të tjera thekson se: “me rastin e ratifikimit të Konventës Evropian të të Drejtave të Njeriut, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, si përfaqësues i sovranitetit popullor, ka marrë përsipër detyrime të cilat janë të zbatueshme nga të gjitha organet shtetërore të Republikës së Shqipërisë, përfshirë gjykatat e të gjitha niveleve, pavarësisht llojit të tyre. Për sa më sipër, detyrimet që mbartin secili nga pushtetet për zbatimin e vendimeve përfundimtare të GjEDNj-së janë të ndryshme. Nëse për ekzekutivin janë menjëherë të ravijëzueshme këto detyrime, si p.sh. në rastin e pagimit të dëmshpërblimeve të imponuara nga GjEDNj-ja,  për sa i përket dy pushteteve të tjera ka vend për interpretim. Posaçërisht për sa i përket vendimeve të GjEDNj-së për procedimet penale, për legjislativin lind nevoja që të marrë masa për të harmonizuar legjislacionin e brendshëm me dispozitat e KEDNJ-së. Nëse nuk ka harmonizim, pra, nëse jemi në rastet e vakumit legjislativ ose kur parashikimet ligjore bien në kundërshtim me dispozitat e Konventës, atëherë gjyqtarët e çdo niveli duhet të zbatojnë drejtpërsëdrejti vendimet e GjEDNj -së në përputhje me nenin 122 të Kushtetutës dhe nenet 19 dhe 46 të KEDNJ-së. Neni 122 i Kushtetutës përcakton shprehimisht se “dispozitat e marrëveshjeve ndërkombëtare kane epërsi mbi ligjet e vendit që nuk pajtohen me të. GjEDNj-ja ka sqaruar parimet që rregullojnë zbatimin e vendimeve të saj, duke i vënë theksin zbatimit efektiv të këtyre vendimeve. Sipas kërkesave të nenit 46 të KEDNJ-së, një shtet palë për të cilin GjEDNj-ja është shprehur se ka shkelur Konventën ose Protokollet e saj, ka detyrimin që të veprojë në përputhje me vendimin e asaj Gjykate.

Neni 10 i Konventës jo vetëm që kërkon që shtetet të përmbahen nga ndërhyrjet e panevojshme në lirinë e shprehjes, por se shtetet janë gjithashtu të detyruara të krijojnë një mjedis për pjesëmarrjen e plotë në debatin publik nga të gjithë, pa frikë. Për më tepër, shtetet duhet të mbrojnë gazetarët dhe të krijojnë një mjedis të favorshëm për debat publik edhe kur mendimet që gazetarët shprehin, janë në kundërshtim me ato të autoriteteve ose të një pjese të konsiderueshme të opinionit publik, madje edhe nëse ato janë të bezdisshme ose tronditëse.

Në çështjen Handyside kundër Mbretërisë së Bashkuar(1976), GjEDNj shprehet se “Liria e shprehjes është një nga shtyllat e shoqërisë demokratike, bazë për zhvillimin e saj dhe kusht për vetë realizimin e individit… Ajo nuk mund të përfshijë vetëm informacionet dhe opinionet e perceptuara pozitivisht, ose të konsideruara si të padëmshme, apo indiferente, por edhe të tilla që fyejnë, turbullojnë, apo që janë shqetësim për shtetin ose për një grup të caktuar të shoqërisë. Të tilla janë kriteret e pluralizmit, të tolerancës dhe të hapjes, pa të cilat një shoqëri demokratike nuk mund të ekzistojë…”.

Roli i shtypit si një mbikëqyrës ndaj politikës, u vu në dukje për herë të parë nga Gjykata në çështjen Lingens kundër Kancelarit të Austrisë (1986), në të cilën Gjykata mbajti qëndrimin se “autoritetet shtetërore nuk mund t’u kërkojnë gazetarëve që të provojnë vërtetësinë e deklaratave të tyre ndaj figurave politike, të cilat janë gjykime vlerësuese dhe janë bërë në mirëbesim”. Gjykata ka bërë një dallim të qartë midis informacionit (fakteve) dhe mendimeve (gjykimet mbi vlerat), Gjykata është shprehur se “ekzistenca e fakteve mund të demonstrohet, kurse e vërteta e vlerave nuk është e prekshme si provë”. Në lidhje me gjykimet mbi vlerat kjo kërkesë është e pamundur të përmbushet dhe dhunon vetë lirinë e mendimit, e cila është një pjesë themelore e të drejtës së siguruar nga Neni 10 i Konventës. Gjykata deklaroi në veçanti se “liria e shprehjes ishte e një rëndësie të veçantë për sa i përket shtypit e limitet e kriticizmit të pranueshëm janë më të gjera në lidhje me një politikan që vepron në funksionin e tij publik” (Lopes Gomes da Silva kundër Portugalisë, 2008) . Nëse një gazetar ose një botim ka qëllime legjitime, çështja është e interesit publik, dhe nëse janë bërë përpjekje të arsyeshme për të vërtetuar faktet, shtypi nuk do të jetë përgjegjës nëse faktet vërtetohen se janë të pavërteta (Dalban kundër Rumanisë, 1999). Gjithashtu, GjEDNj konstaton se “kur një gazetë përmban artikuj që citojnë apo përmbajnë pjesë që janë të besueshme dhe të kujdesshme, procedimet për shpifje mund të përbëjnë një ndërhyrje jo të justifikueshme ndaj të drejtave të parashikuara në nenin 10 të Konventës”.

E drejta e lirisë së shprehjes zbatohet dhe për format e reja të komunikimit masiv duke përfshirë këtu dhe internetin. Këshilli i Evropës është vazhdimisht aktiv për mbrojtjen e kësaj të drejte. Praktika gjyqësore e GjEDNj -së për lirinë e shprehjes garanton gjithashtu, dhe “aksesin në internet”. Një nga rastet më relevante me interes të veçantë për qeverisjen e internetit është çështja eAhmedit Yildirim kundër Turqisë (2012) në të cilën Gjykata përcaktoi se “neni 10 garanton lirinë e shprehjes për “të gjithë” dhe zbatohej jo vetëm për përmbajtjen e informacionit por edhe mjeteve të shpërndarjes së tij”. Në këtë vendim citohet se “interneti tashmë është bërë një nga mjetet kryesore me të cilat individët ushtrojnë të drejtën e tyre për lirinë e shprehjes dhe informacionit, duke ofruar ashtu siç bën mjete thelbësore për pjesëmarrje në aktivitete dhe diskutimet lidhur me çështjet politike dhe çështjet me interes të përgjithshëm”.

GjEDNj është shprehur se “dhuna e kryer ndaj gazetarëve, veçanërisht nga agjentë të shtetit, mund të përbëjë shkelje jo vetëm të nenit 3 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, i cili ndalon torturën dhe trajtimin ose dënimin çnjerëzor ose poshtërues, por gjithashtu të së drejtës për lirinë e shprehjes, e garantuar nga neni 10, që përfshin të drejtën për të marrë dhe për të dhënë informacion”. Për shembull, në çështjen Najafli kundër Azerbajxhanit (2012), Gjykata vendosi se “çdo masë që pengon gazetarët të bëjnë punën e tyre, mund të ngrejë çështje sipas nenit 10 dhe arriti në përfundimin se kishte pasur një shkelje për shkak të përdorimit të forcës së tepruar kundër kërkuesit”. Në kontekstin e demonstratave publike, prania e gazetarëve është një garanci që autoritetet të mbajnë përgjegjësi për sjelljen e tyre përballë demonstruesve dhe publikut në përgjithësi, duke përfshirë metodat e përdorura nga policia në tubime të mëdha, për të kontrolluar ose shpërndarë protestuesit, ose për të ruajtur rendin publik”.

Njëkohësisht, Gjykata ka përcaktuar edhe “detyrimet dhe përgjegjësitë”, e vetë gazetarëve. Në çështjen Observer dhe Guardian kundër Mbretërisë së Bashkuar (1991), GjEDNjtheksoi se për shkak të “detyrimeve dhe përgjegjësive” të mishëruara në ushtrimin e lirisë së shprehjes, mbrojtja e gazetarëve sipas nenit 10 i nënshtrohet kushtit që ata “po veprojnë në mirëbesim me qëllim dhënien e informacionit të saktë dhe të besueshëm në përputhje me etikën e gazetarisë”. Krahas kësaj, gjykata ka theksuar gjithashtu se “detyrimet dhe përgjegjësitë” e profesionistëve të medias marrin rëndësi të veçantë në situatat e konfliktit dhe tensionit (Şener kundër Turqisë, 2000). Duhet treguar kujdes i veçantë kur merret në konsideratë publikimi i pikëpamjeve që përmbajnë nxitje të dhunës ndaj shtetit me qëllim që media të mos bëhet mjet për përhapjen e gjuhës së urrejtjes dhe nxitjes së dhunës. Gazetarët “nuk mund të pretendojnë imunitet ekskluziv nga përgjegjësia penale për të vetmen arsye se, ndryshe nga individët e tjerë që ushtrojnë të drejtën e lirisë së shprehjes, vepra e paligjshme në fjalë u krye gjatë kryerjes së funksionit të gazetarisë”.

Parimet e përgjithshme që rrjedhin nga praktika gjyqësore e Gjykatës në lidhje me mbrojtjen e jetës private në kontekstin e një artikulli në shtyp janë përcaktuar, ndër të tjera, çështjenCouderc dhe Hachette Filipacchi Associés kundër Francës(2015) Kështu, Gjykata është shprehur se edhe pse shtypi nuk duhet të kapërcejë disa kufij, lidhur në mënyrë të veçantë me mbrojtjen e reputacionit dhe të drejtave të të tjerëve, detyra e tij është gjithsesi të japë në mënyrë konsistente me detyrimet dhe përgjegjësitë e saj – informacione dhe ide për të gjitha çështjet me interes publik.

Sa më sipër ka për qëllim të informoj lexuesin mbi disa nga Vendimet e GjEDNJ referuar lirisë së shprehjes dhe medias.

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PSh). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Partnerëve Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PSh).

Nga Elda Zenelaj,

Eksperte ligjore

Related articles

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow
3,912FollowersFollow
3,572SubscribersSubscribe
spot_img

Latest posts