Ambasadorja e SHBA-ve Yuri Kim ka zhvilluar sot takime me kreun e grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla dhe deputetin e PD Enkelejd Alibeaj.

Me anë të një postimi në Facebook Alibeaj u shpreh se “ishte një takim i frytshëm pune dhe se në qendër të bisedës ishin nisja e sezonit të ri parlamentar dhe sfidat e reja gjatë kësaj periudhe.

Në takim me ambasadoren e SHBA, Balla u shprej se do vazhdojmë të punojmë ngushtësisht me SHBA dhe partnerët e tjerë në përmirësimin e kuadrit ligjor për financimin e partive politike dhe fushatave zgjedhore.

 

 

Përmes një postimi në rrjetin social facebook Balla deklaron se bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është sot në një nivel të shkëlqyer në dobi të zhvillimeve demokratike, të forcimit të shtetit ligjor dhe të parimeve të ekonomisë së tregut, në mbështetje të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, të ruajtjes së stabilitetit, paqes e prosperitetit në rajonin tonë e më gjerë, luftës kundër terrorizmit si dhe në qasjen e përbashkët mbrojtëse dhe reaguese ndaj sulmeve kibernetike.

Postimi i plotë i Taulant Ballës:
Gjithmonë të frytshme takimet me Ambasadoren e SHBA-ve në Tiranë Yuri Kim. Bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është sot në një nivel të shkëlqyer në dobi të zhvillimeve demokratike, të forcimit të shtetit ligjor dhe të parimeve të ekonomisë së tregut, në mbështetje të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, të ruajtjes së stabilitetit, paqes e prosperitetit në rajonin tonë e më gjerë, luftës kundër terrorizmit si dhe në qasjen e përbashkët mbrojtëse dhe reaguese ndaj sulmeve kibernetike.

Jemi mirënjohës SHBA-ve dhe Ambasadës në Tiranë për bashkëpunimin dhe mbështetjen gjatë gjithë këtyre viteve që i kanë dhënë Shqipërisë në mënyrë të veçantë gjatë hartimit dhe zbatimit të Reformës në Drejtësi si dhe në ngritjen e forcimin e kapaciteteve institucionale në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ne do të vazhdojmë të punojmë ngushtësisht me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë edhe në përmirësimin e kuadrit ligjor për financimin e partive politike dhe fushatave zgjedhore. Rusia është e përfshirë prej kohësh në sulmet ndaj demokracisë në shumë vende përmes financimit të partive politike dhe aktorëve të tjerë. Kujtoj se Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar në dhjetor 2019 një Rezolutë “Për ndërhyrjet e huaja në proceset zgjedhore dhe dezinformimin në proceset demokratike kombëtare”, duke iu referuar pikërisht këtyre kërcënimeve dhe duke u kërkuar institucioneve marrjen e të gjitha masave mbrojtëse dhe parandaluese.