Friday, March 29, 2024
HomePolitikëHolanda kundër liberalizimit të vizave për Kosovën

Holanda kundër liberalizimit të vizave për Kosovën

-

 

Holandës nuk e ka dhënë qëndrim përsa i përket çështjes së liberalizimit të vizave për Kosovën. Në një përgjigje për Portalin Dukagjini, nga Ministria e Jashtme e Holandës, është thënë se ky shtet e mbështet Qeverinë e Kosovës, ‘në agjendën e saj ambicioze të reformës së Sundimit të Ligjit, veçanërisht, në adresimin e çështjeve si krimi i organizuar dhe korrupsioni i nivelit të lartë’.

Në përgjigjen e MPJ-së së Holandës thuhet se do të dalin me qëndrim pasi ta vlerësojnë përparimin ndaj luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

‘Progresi në të kaluarën në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është kyç për ne. Vetëm pas vlerësimit të progresit të bërë dhe pas një diskutimi me Parlamentin do të kemi qëndrim për këtë çështje’, thuhet në përgjigjen e tyre.

Nga Holanda thanë se e mbështesin iniciativën e Kosovës, për udhëtim pa viza, teksa e kanë përmendur edhe rolin e Këshillit të Bashkimit Evropian dhe shteteve të tjera të BE-së.

‘I takon Këshillit të Bashkimit Evropian që të diskutojë dhe të pajtohet për liberalizimin e vizave, kështu që nuk është çështje bilaterale mes Kosovës dhe njërit prej shteteve anëtare të BE-së’, thuhet në përgjigjen e tyre.

‘Komisioni Evropian së shpejti do të vijë me një raport të përditësuar mbi standardet për liberalizimin e vizave. Holanda është e hapur për të vlerësuar nëse të gjitha standardet janë përmbushur’, vijon përgjigjja.

Holanda ka bërë të ditur se do ta ndihmojë Qeverinë e Kosovës, institucionet gjyqësore  dhe organizatat e shoqërisë civile, përmes ekspertizave të tyre, për ta reformuar sistemin gjyqësor.

‘Holanda ishte, është dhe do të ndihmojë qeverinë e Kosovës, por edhe institucionet gjyqësore dhe organizatat e shoqërisë civile përmes projekteve, këshillave dhe ekspertizës në arritjen e rezultateve në reformat e nevojshme për sundimin e ligjit’, thuhet në përgjigje.

Presidenca çeke e Bashkimit Evropian e ka vendosur edhe zyrtarisht në rend dite diskutimin për liberalizimin e vizave për Kosovën. Sipas planit që ka prezantuar ajo, çështja e vizave do të diskutohet më 13 tetor. Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që mbeten jashtë BE-së, vetëm qytetarët e Kosovës nuk mund të lëvizin lirshëm në vendet evropiane, apo në atë që njihet si zona Shengen.

Holanda dhe Franca janë dy prej vendeve anëtare të BE-së që kanë qenë skeptike për këtë proces. Ministri i Jashtëm çek, Jan Lipavsky, ka thënë të enjten se ka pritje të larta që brenda mandatit gjashtëmujor të Presidencës çeke, do të finalizohet procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

‘Është një proces që përbëhet nga çështjet teknike. Bashkimi Evropian do të rishikojë shumë shpejt aspektet teknike dhe unë shpresoj shumë që Presidenca çeke do të arrijë deri te një marrëveshje, dhe Kosova do të ketë liberalizim të vizave. Është shumë e vështirë të parashikojmë datën. Pritjet e mia për vendimin janë shumë të larta, dhe kjo është pjesë e agjendës sime politike’, ka thënë Lipavsky.

Ai i ka bërë këto deklarata pas takimit që ka pasur me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi. Lipavsky ka thënë se i ka kontaktuar edhe disa zyrtarë nga Holanda për këtë çështje dhe se ata janë pajtuar që të analizohen çështjet teknike dhe më pas ato politike.

Në qershor të vitit 2016, Komisioni Evropian kishte vlerësuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave, mirëpo për finalizim të procesit kishte vënë kusht që të arrihej marrëveshje për ratifikimin e demarkacionit të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, dhe që të kishte rezultate në luftën kundër krimit dhe korrupsionit në Kosovë.

Më pas, më 2018 Komisioni Evropian kishte konstatuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe kishte propozuar liberalizim. Parlamenti Evropian e ka mbështetur këtë vendim, mirëpo disa vende skeptike si Franca dhe Holanda nuk janë pajtuar me vlerësimet e Komisionit në tërësi. Në mesin e shqetësimeve të tyre, ishte edhe ajo e rritjes së numrit të banorëve të Kosovës që do të synonin BE-në dhe keqpërdorimin e lirisë së lëvizjes për të kërkuar azil në bllokun evropian.

Raste të tilla kanë ndodhur me shtetasit e Shqipërisë, Gjeorgjisë dhe disa vendeve të tjera. Zyrtarë të BE-së besojnë se tani ekziston ‘moment pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën’, duke shtuar se ky proces ‘duhet të finalizohet brenda disa muajve’. Nëse arrihet pajtueshmëri, liberalizimi i vizave do të vlejë për bartësit e pasaportave biometrike të Kosovës. Përveç vendeve të BE-së, qytetarët e Kosovës do të mund të lëviznin edhe në Zvicër, Norvegji, Islandë dhe Lihtenshtajn.

Related articles

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow
3,912FollowersFollow
3,572SubscribersSubscribe
spot_img

Latest posts