Kryetari i Bashkisë Shkodër, Bardh Spahia kërkon shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore nga ana e qeverisë.
Situata më përmbytjet në territor ka ardhur duke u përkeqësuar ku nën ujë ndodhen mbi 2700 hektarë tokë si dhe 155 banesa të rrethuara.
Ai pa afër gjendjen në fshatin Obot, atje ku banorët ndodhen të izoluar dhe komunikimin e kryejnë vetëm më mjetet e larta të ushtrisë dhe më pas u ndal edhe tek segmenti tjetër i bllokuar Darragjat – Shirq në njësinë administrative të Dajçit.
Postimi i plote
Po përballemi me një situatë të vështirë në zonën e nënShkodrës ku harta e përmbytjes është zgjeruar. Me banorët dhe drejtuesit vendor të njësive administrative Ana e Malit dhe Dajç, pashë nga afër gjendjen e krijuar në territor.
Rritja e nivelit të ujit po vjen jo vetëm nga reshjet por edhe nga shkarkimet e hidrocentraleve, që për fat të keq po i kthejnë këto zona ndër më produktivet, në të pabanueshme.
Shpallja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore nuk duhet mbajtur peng nga qeveria, pasi kemi afro 2800 Ha të përmbytura dhe mbi 150 shtëpi të rrethuara nga uji, pa llogaritur dëmet në bujqësi e blegtori.
Kjo është përmbytja e dytë në më pak se 1 muaj dhe fatura e rëndë financiare e saj nuk ka pse të paguhet nga banorët e Shkodrës, por shteti duhet të marrë përgjegjësitë që i takojnë.