Saturday, January 28, 2023
HomeAktualitetHolanda rimerr kryesimin e investimeve të huaja sipas shteteve

Holanda rimerr kryesimin e investimeve të huaja sipas shteteve

-

Holanda ka marrë sërish kryesimin e investimeve të huaja sipas shteteve në tremujorin e tretë të këtij viti.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, investimet direkte holandeze në tremujorin e tretë të vitit arritën në 77 milionë euro, në rritje me 120% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërsa për gjithë 9-mujorin 2022 prekën vlerën e 147 milionë eurove, 4.2% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Vlerat e mëdha të investimeve holandeze lidhen sidomos me faktin se Holanda është një nga juridiksionet e preferuara në Europë për të regjistruar kompani offshore, me qëllim kontrollin e investimeve ndërkombëtare të grupeve të ndryshme të biznesit.

Holanda ka një rrjet të gjerë të marrëveshjeve me vende të tjera të Botës për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe kjo i ndihmon kompanitë në momentin e shpërndarjes dhe transferimit të dividendëve të fituara nga investimet e kryera në vende të tjera.

 

Arsyeja tjetër pse Holanda është një vend i preferuar për regjistrimin e kompanive është sepse legjislacioni i atjeshëm garanton një shkallë të lartë konfidencialiteti lidhur me pronësinë e aksioneve mbi një kompani.

 

Në këtë pikë, Holanda ka karakteristika të ngjashme me vende të tjera që njihen si juridiksione offshore. Pikërisht kjo është arsyeja kryesore pse disa prej kompanive me aksionerë shqiptarë që kanë fituar kontrata koncesionare në Shqipëri rezultojnë të regjistruara në Holandë.

Megjithëse sipas statistikave zyrtare investitori kryesor këtë vit është Holanda, në fakt detyrimet e konfidencialitetit të ligjit për statistikat mund të mbulojnë investimet e konsiderueshme të kryera nga kompanitë hungareze 4iG dhe OTP.

4iG këtë vit ka blerë kompaninë e telekomunikacioneve Albtelecom (edhe kompaninë One Telecommunications, por nëpërmjet kompanisë holding të regjistruar në Bullgari ATI, ndaj zyrtarisht ONE vazhdon të rezultojë si investim bullgar) dhe OTP, që finalizoi blerjen e Alpha Bank Albania.

Vlera e investimeve të klasifikuara në grupin të tjera (për arsye konfidencialiteti) këtë vit ka arritur në 382 milionë euro.

Këtu besohet se përfshihen investimet hunagreze (të lidhura kryesisht me blerjet e 4iG në tremujorin II dhe OTP në tremujorin III), por edhe ato kanadeze (të lidhura me investimet e Bankers Petroleum, që zyrtarisht vazhdon të klasifikohet si investim kanadez).

Nëse analizojmë të dhënat e investimeve të huaja sipas shteteve të paraqitura në formën e stokut, në fund të tremujorin të dytë investimet hungareze kanë arritur vlerën e 249 milionë eurove, në rritje me 126% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në pjesën dërrmuese, besohet se kjo ka ardhur pikërisht nga blerjet e 4iG në sektorin e telekomunikacioneve dhe OTP në tregun bankar.

Për aq sa detajojnë statistikat, investitori i dytë më i madh i huaj këtë vit është Italia.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për 9-mujorin investimet italiane kishin vlerën e 98 milionë eurove. Megjithatë, flukset e investimeve italiane kanë rënë me 7% krahasuar me 9-mujorin e parë të vitit të kaluar.

Ndërkohë, për të dytin vit radhazi, statistikat tregojnë një rritje të ndjeshme të investimeve gjermane. Sipas Bankës së Shqipërisë, për 9-mujorin investimet gjermane kishin vlerën e 75 milionë eurove, në rritje me 142% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Renditja e investitorëve të huaj për 9-mujorin vijon me Austrinë, me 55 milionë euro investimeve të reja, Kosovën, me 46 milionë euro dhe SHBA, me 40 milionë euro./Monitor/

Related articles

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow
3,674FollowersFollow
3,572SubscribersSubscribe
spot_img

Latest posts