Friday, October 11, 2024
HomeAktualitetShqiptarët i shpenzojnë paratë për ushqime, ilaçe e shkollim; evropianët për transport,...

Shqiptarët i shpenzojnë paratë për ushqime, ilaçe e shkollim; evropianët për transport, restorante, argëtim e shtëpinë

-

Niveli më i ulët i të ardhurave për frymë në Europë reflektohet në mënyrën se si familjet shqiptare i shpenzojnë paratë, që kanë në dispozicion, për të kaluar muajin.Të dhënat e Eurostat bëjnë të ditur se pjesa më e madhe e buxhetit të një familjeje shqiptare shkon për ushqime, që është shpenzimi minimal i domosdoshëm për të jetuar.

Në vitin 2020, kur janë të disponueshme të dhënat e fundit për Shqipërinë, një familje normale shpenzonte 43.6% të totalit për ushqime. Kjo shifër është pak më e lartë sesa ajo që raporton INSTAT (41.6% për 2020-n dhe 41.3 për 2021-n).

Për një familje europiane, sigurimi i ushqimit nuk është aspak një problem. Në 2021-shin mjaftonin 14.3% e shpenzimeve totale (14.8% në 2020-n) për të përmbushur nevojën minimale të jetesës, shumë më pak se e njësie familjare tek ne. (shiko grafikun: Struktura e buxhetit të familjeve, Shqipëria dhe mesatarja e Bashkimit Europian).

Edhe në raport me rajonin, Shqioëria ka peshën më të lartë të shpenzimeve për ushqime. Për Maqedoninë e Veriut treguesi është rreth 31%, për BosnjëHercegovinën 29.5%, për Serbinë rreth 24%, për Malin e Zi 24.6%, sipas Eurostat (viti 2019). Të dhënat për Kosovën mungojnë nga Eurostat, por pesha është më e ulët se 40%, sipas statistikave kombëtare.

Europianët shpenzojnë më shumë për mirëmbajtjen e shtëpisë (Shpenzime për banesën, ujë, energji elektrike, qira të paguar) me 25% të totalit, përkundrejt 13% tek ne, për shkak të faturave më të larta të dritave e ujit dhe qirave më të shtrenjta.

Por, sërish, europianëve u mbeten më shumë para në dispozicion, pasi heqin shpenzimet bazë të jetesës (ushqimin dhe shtëpinë).

Për t’ú argëtuar (ku përfshihen pushimet, pajisjet audio-vizuale, shërbimet kulturore) familjet europiane shpenzojnë 8% të buxhetit, përkudrejt 6.1% të Shqipërisë.

Për transport, kjo peshë është 12.1%, pothuajse sa dyfishi i Shqipërisë për shkak të numrit më të lartë të automjeteve në raport me popullsinë (sërish tregues i mirëqenies), distancave më të gjata dhe lëvizjeve më të shpeshta në fundjavë (ndërsa çmimet e karburanteve në Shqipëri nuk është se kanë ndonjë diferencë nga vendet e tjera të Europës).

Familjet europiane kanë më shumë para në dispozicion edhe për të kaluar kohë në restorante e hotele (6.6% përkundrejt 3.9%).

Ndonëse më të varfra, Familjet shqiptare shpenzojnë për arsimimin e fëmijëve të tyre (2.6% të mesatares, përkudrejt 0.9% të Europës), teksa Europa ka sistem të mirë të arsimit publik, ndërsa në Shqipëri vitet e fundit është rritur numri i universiteteve private.

Shëndeti është një tjetër shpenzim i domosdoshëm, sidomos në vitin e pandemisë. Në 2020-n, shpenzimet për shëndet për familjet shqiptare arritën rekordin e 5.6%, nga 4.9% vitin e mëparshëm, në një tregues se kurimi i Covid u përballua nga xhepi (sipas INSTAT, pesha e shpenzimeve për shëndet mbeti e pandryshuar dhe në 2021).

Ndërsa familjet europiane e kishin këtë tregues 4.5% në 2020-n, nga 4.4% një vit më parë, teksa shërbimi shëndetësor më i mirë u garantoi atyre kujdesin e duhur (kujtojmë se në 2020-n, Shqipëria ishte një nga vendet me vdekshmërinë më të lartë shtesë në Europë nga pandemia).

Të dhënat e INSTAT, që janë të dsponueshme dhe për 2021-n tregojnë se pothuajse nuk ka pasur ndryshim në strukturën e shpenzimeve të buxhetit në 2021 në raport me 2020-n. (shiko grafikun: Struktura e buxhetit të familjeve, Shqipëria, sipas INSTAT).

Ndërsa të dhënat e Eurostat tregojnë diferenca për ndarjen e shpenzimeve buxhetore, si psh sipas Eurostat familjet shqiptare shpenzojnë më shumë sesa raporton INSTAT për ushqime, banesën, argëtim dhe kulturë, shëndet, më pak për komunikim, restorante e hotele (shiko grafikun: Struktura e buxhetit të familjeve, Shqipëria, sipas INSTAT dhe Eurostat, 2020)/ monitor.al

Related articles

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow
3,912FollowersFollow
3,572SubscribersSubscribe
spot_img

Latest posts