Protesta e djeshme nuk kaloi pa incidente. Tre persona janë vënë nën hetim. 21-vjeçari nga Durrësi, i cili u procedua për mbajtje pa të drejtë të uniformës dhe falsifikim dokumentesh ka thënë para oficerëve të komisariatit numër 2 se i pëlqente të ishte polic, prandaj kishte gjetur një uniformë të vjetër dhe e kishte veshur, por nuk ka dashur ta keqpërdorë atë.
Dy personat e tjerë që u vunë nën hetim për prishje të qetësisë publike dhe shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse kanë thënë se hedhja e tymueseve dhe kapsollave në drejtim të kryeministrisë ishte akt proteste. “Kjo ishte arsyeja përse u mblodhëm në shesh, nuk ishim për të shëtitur”, kanë deklaruar ata në polici.
Protesta e opozitës që zgjati tre orë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” u mbyll me flakje kapsollash, flakadanësh dhe zhurmuesish, që të gjitha të hedhura drejt selisë së qeverisë.