Friday, April 19, 2024
HomeAktualitetRama: Nuk do të mungojë mbështetja për monumentet e kulturës që trajtoheshin...

Rama: Nuk do të mungojë mbështetja për monumentet e kulturës që trajtoheshin si mall pa zot!

-

Hapet konkursi për projektin e Muzeut “Besa”. Kryeministri Edi Rama tha se projekti, i hap udhë krijimit të një destinacioni të historisë së lavdishme të shpëtimit të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Gjithashtu në fjalën e tij operacioni për shpëtimin e monumenteve të kulturës ka marrë vëmendje maksimale dhe se mbështetja nuk do të mungojë.

“Jam i bindur që sot hedhim një hap të rëndësishëm për ta parë të realizuar këtë vepër. I kemi dhënë jo vetëm vëmendje por edhe mbështetje të gjithë operacionit të shpëtimit të monumenteve të kulturës dhe asaj që deri dje ishte një mall pa zot. Dhe për këtë arsye edhe ky aktiviteti është një monument i rëndësishëm”, tha ndër të tjera Rama.

I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj. Në fjalën e tij, në çeljen e konkursit ndërkombëtar për projektin e Muzeut “Besa”, Veliaj tha se ky muze do të shërbejë për të na kujtuar ditët tona të lavdishme.

 

Ai tha se muzeu është edhe një përgjigje për cinikët që thonë ‘nuk bëhet’ për gjithçka dhe se ka ardhur koha për një besë ndaj njëri-tjetrit, atë të mos bllokimit të punëve publike në qytet, duke lënë mënjanë ndasitë.

 

“Ky projekt është revolucioni i vërtetë që do të lërë gjurmë në qytet. Është hera e parë në 103 vjet të Tiranës Kryeqytet kur shteti, qeveria, publikja, bashkia, institucionet që mbahen nga taksapaguesit, po heqin mënjanë paratë e taksapaguesve për të blerë një pronë private, që është një monument kulture, sepse privati nuk po e mirëmban. Po flas për Sarajet dhe Shtëpinë e Libohovitëve. Njëra do të kthehet në Muzeun Etnografik të Tiranës dhe tjetra në Muzeun Besa. Është një mënyrë për të kaluar nga historia e treguar dhe e rrëfyer, në diçka të qenësishme për qytetin”, u shpreh Veliaj.

Gjithashtu, ai renditi disa nga punët e mira që janë bërë në Tiranë, për të cilat ka pasur kundërshtime e që sot janë kthyer në pika kyçe të qytetit.

“Beteja e parë në bashki ishte për Parkun e Liqenit të Tiranës, ku gjysma e një grupi parlamentar, luftonin këndet e lodrave për fëmijë me pistoleta. Pastaj, u transferuam te Amfiteatri te Liqeni, që gjithashtu është kthyer në një hapësirë moderne. Kur kujtoj Kopshtin Zoologjik, ku dikur luani ushqehej me patate dhe karota, dhe si u desh të rikuperonim edhe atë hapësirë. Për ata që flasin për Sahatin e Tiranës, dikur sahati nuk punonte. Pallati i Maks Velos kishte degraduar totalisht. Sot shteti i ka blerë me vlerën e tregut të dyja shtëpitë, edhe të Ismail Kadaresë, edhe të Dritëro Agollit. E njëjta gjë ndodhi edhe me Shtëpinë e Gjetheve. Ideja e ruajtjes së qytetit është që të jetohet me frymë njeriu, se nëse s’ka frymë njeriu dhe degradon, atëherë cila është vlera? Nuk është ky identiteti ynë! Mbaj mend të njëjtin debat bëmë te Pazari i Ri. Kurse në ambientet siç ishin Sarajet, mbaj mend atë natë e gdhimë teksa zjarrfikëset luftonin me flakët, fatmirësisht u kap në dy minuta ai incident. Ishte vepër e atyre që donin të digjnin edhe shkollën Kosova”, tha Veliaj.

Ndër të tjera kryeministri Edi Rama shtoi se Bashkia e Tiranës do garantojë suksesin e këtij projekti kaq të rëndësishëm për qytetin.

Ndërsa ministrja e Kulturës, Elva Margariti bëri me dije lajmin se pranë Kalasë së Tiranës do të krijohet një hapësirë dialogu, ku jo vetëm të huajt, por edhe fëmijët e kryeqytetit të mësojnë për ‘besën’. Margariti theksoi se kjo do jetë një tjetër prekje e bukur e Bashkisë së Tiranës, që gjithmonë i jep vëmendje zhvillimit të qytetit, duke e parë në dimensione moderne.

Related articles

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow
3,912FollowersFollow
3,572SubscribersSubscribe
spot_img

Latest posts