Kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi, ka reaguar pas takimit të zhvilluar me ambasadoren amerikane, Yuri Kim dhe ambasadoren e BE-së Christiane Hohmann.
Celibashi bën me dije se në fokus të takimit ishin zgjedhjet lokale të 14 majit, integriteti i kandidatëve si edhe transparenca e financimeve të partive politike.
Kreu i KQZ, shprehet se ambasadorja e BE Hohmann dhe ambasadorja e SHBA, Kim theksuan se zgjedhjet janë një test i mirëfilltë për progresin e demokracisë shqiptare.
Reagimi i Ilirjan Celibashit:
Në KQZ Shqipëri sot me Ambasadoren e European Union in Albania, Christianne Hohmann dhe Ambasadoren e U.S. Embassy-Tirana, zj Yuri Kim, bashkëbiseduam mbi përgatitjet e zgjedhjeve #Vendore14Maj2023, shpërdorimin e burimeve shtetërore për fushatë, dukurinë e shitblerjes së votës, transparencën e financimeve në zgjedhje dhe pastërtinë e figurës së kandidatëve që do të garojnë për t’u zgjedhur.
Ambasadoret Hohmann dhe Kim theksuan se zgjedhjet e 14 Majit nuk janë thjesht për të zgjedhur qeverisjen vendore, por një test i mirëfilltë për progresin e demokracisë shqiptare dhe se të gjithë sytë e partnerëve ndërkombëtarë janë fokusuar mbi këto zgjedhje.
Theksova dyfishimin e institucioneve shtetërore raportuese në #KQZ, ndalimin e mbi 20 aktiviteteve publike, trefishimin e numrit të sanksioneve nga #KQZ dhe garantova Ambasadoret Kim dhe Hohmann se #KQZ do të vijojë të mbetet e baraslarguar nga politika dhe do të veprojë vetëm në zbatim të ligjit.
Falënderova Ambasadoren e Bashkimit Europian dhe Ambasadore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e fortë ndaj KQZ dhe kontributin e tyre për institucionin.