Alice Taylor, gazetare britanike që jeton prej disa vitesh në Shqipëri, ishte e ftuara e radhës në episodin e kësaj fundjave në podkastin “Flasim”, të Kryeministrit Rama. Përgjatë bashkëbisedimit me Kryeministrin shqiptar, Taylor u ndal edhe te mënyra se si politika britanike e ka trajtuar çështjen e emigracionit.
“Retorika e tyre kundër Shqipërisë. Së pari është e turpshme. Më vjen turp kur shoh gjërat më të fundit që kanë thënë. Më vjen turp nga politikat e tyre të emigracionit. Më vjen turp nga mënyra se si i trajtojnë të huajt. Kjo është gjëja kryesore që më bën të ndjej. Kur dëgjoj shqiptarë që më thonë që fëmijët e tyre janë bullizuar në shkolla në Angli sepse janë shqiptarë apo sepse nënave të tyre u është refuzuar viza për të shkuar për të vizituar vajzën që sapo ka pasur një fëmijë, atëherë kjo është e turpshme. Çfarë e bën këtë vend kaq të madh sa që kanë të drejtën të kthejnë mbrapsht një qenie njerëzore që ka një arsye të vlefshme për të shkuar atje? Kam miq që nuk kanë arritur të marrin viza për të studiuar në universitete atje. Mendoj që është qesharake ne momentin kur vendi ka një mungesë të krahut të punës dhe më duket e turpshme. Nuk më bën krenare të jem britanike aspak”, tha Alice Taylor.
Rama bisedoi me gazetaren britanike Alice Taylor, e cila foli ndër të tjera edhe për ndryshimet që ajo ka parë në Shqipëri gjatë pesë vite e gjysmë, teksa ka ndërtuar jetën e saj në vendin tonë. Taylor shprehu dëshirën për të rritur vajzën e saj në Shqipëri, vend që prej vitesh është shtëpia e saj.
“Qartësisht, në 5 vjet e gjysmë ka pasur jashtë mase ndryshime. Disa prej tyre janë të mira, disa prej tyre nuk jam domosdoshmërisht tifoze e tyre. Është më e lehtë sot që t’i bësh gjërat këtu. Kështu edhe rrugët në mbarë vendin janë më të mira. Po, ka pasur ndryshime. Po sigurisht, ka gjëra që kur jeton këtu për një kohë të gjatë dhe zhytesh më shumë në këtë shoqëri dhe fillon t’i kuptosh, fillon të shohësh dhe dua që t’i paraprij diskutimit tonë, duke thënë se kritika ime dhe kemi folur për këtë, është rezultat i pasionit, sepse kur shkruaj një artikull, shkruaj sepse kam një ndjenjë të fortë të drejtësisë sociale, në qoftë se shoh diçka që më mërzit, mërzitem thellësisht… Kështu del ajo që shkruaj sepse unë dua që gjërat të ndryshojnë. Dua të rris vajzën time këtu. Dua të plakem këtu. Pra nuk dua të bëhem e bezdisshme thjesht për hir të kësaj”, tha ajo.