Një mision prej 324 vëzhguesish ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it do të vëzhgojë zgjedhjet lokale në Shqipëri. Ata do të shikojnë ecurinë e zgjedhjeve në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Në garë janë 40 subjekte politike. Tre milion e gjashtëqind mijë votues, që rezultojnë të regjistruar në listat e zgjedhësve, pritet të japin votën e tyre për këto subjekte. Si në Cdo proces zgjedhor, qytetarët presin që rezultati i zgjedhjeve të shprehë vullnetin e tyre dhe ai të mos tjetërsohet. A i garanton këto pritshmëri legjislacioni zgjedhor?
Subjektet politike në garë – të zbatojnë ligjet zgjedhore
Komisioneri Shtetëror për Zgjedhjet, kreu i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, (KQZ), Ilirian Celibashi, në bisedë me DW, rreshton një sërë mekanizmash dhe garancish ligjore që mundësojnë një rezultat në përputhje me vullnetin e zgjedhësve, të shprehur me votën e tyre. “Qëllimi kryesor i zgjedhjeve është të sigurojë një përfaqësim të saktë të vullnetit të popullit, një proces të lirë, të ndershëm dhe transparent. Pavarësia e KQZ, monitorimi i procesit zgjedhor nga misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it, mbrojtja e votës së qytetarëve përmes votimit dhe numërimi transparent dhe i saktë janë ndër mekanizmat dhe garancitë kryesore ligjore. Është e rëndësishme gjithashtu që partitë politike në garë, kandidatët e tyre për organet e pushtetit lokal, të jenë të përkushtuar ndaj ligjeve, rregullave zgjedhore, të kenë qasje të barabartë dhe të ndershme ndaj mediave dhe financimit të fushatës zgjedhore,” thotë Ilirian Celibashi për DW.
Ligjet zgjedhore dhe transparenca e financimeve
Lidhja e politikës me fonde dhe financime private të fushatave zgjedhore nuk janë dukuri te panjohura në Shqipëri. Ato kanë cënuar dhe tentojnë të cënojnë integritetin e procesit zgjedhor duke krijuar kushte për deformim të rezultatit, edhe pse legjislacioni zgjedhor kërkon t‘i ndalojë. “Ligjet zgjedhore në Shqipëri kanë vënë kufizime të rrepta lidhur me burimet e financimit të fushatave zgjedhore. Ato synojnë ndalimin e vendosjes së interesave të financuesve privatë mbi ato të votuesve. Partitë politike e kanë të ndaluar të marrin fonde nga burime të jashtëligjshme. Ato janë të detyruara të deklarojnë të gjitha burimet e financimit dhe shpenzimeve për fushatën zgjedhore,” thekson komisioneri shtetëror i zgjedhjeve, Ilirian Celibashi.
Ai vë në dukje, se dispozitat ligjore kanë vendosur detyrime të rëndësishme për partitë politike lidhur me deklarimin e burimeve e tyre të financimit dhe shpenzimeve në fushatën zgjedhore. “Partitë politike në garë janë të detyruara me ligj të dorëzojnë në KQZ, rregullisht dhe në kohë, raporte financiare lidhur me të ardhurat dhe shpenzimet gjatë fushatës. KQZ i verifikon ato dhe u kërkon llogari partive politike kur konstaton shkelje të dispozitave ligjore dhe rregullave. Për herë të parë, për zgjedhjet lokale 2023 është krijuar edhe një platformë elektronike për raportimin financiar. Ajo lehtëson verifikimin e raporteve financiare të partive politike dhe kontrollin nga mediat dhe shoqëria civile. Transparenca e financimeve private të partive politike është një nga sfidat kryesore në mbrojtjen e integritetit zgjedhor në Shqipëri”, thotë Celibashi.