Monday, November 11, 2024
HomePolitikëÇuçi: Shqipëria progres në luftën kundër krimit

Çuçi: Shqipëria progres në luftën kundër krimit

-

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi deklaroi se Shqipëria pati një transformim në mënyrën sesi ka ndikuar për të luftuar krimin e organizuar brenda dhe jashtë kufijve.

Çuçi u shpreh se Shqipëria ka marrë tashmë rolin e pjesëmarrësve dhe madje të rolit drejtues në skuadrat hetimore në goditjen e grupeve kriminale.

“Të nderuar drejtorë të policive të kryeqyteteve europiane,
Është një kënaqësi krejt e vecantë që si Ministër i Brendshëm i Shqipërisë t’ju mirëpres sot në Tiranë e t’ju falënderoj që keni ardhur kaq të shumtë në numër (24 kryeqytete), nga të gjitha anët e kontinentit dhe të shpreh vlerësimet më të larta për angazhimin tuaj të vazhdueshëm në këtë platformë, që i shërben një prej aspekteve më thelbësore të punës së institucioneve të zbatimit të ligjit: afrimit dhe forcimit të lidhjeve e bashkëpunimit të drejtpërdrejtë.

Këtë platformë unë e konsideroj një mundësi të shkëlqyeshme për të diskutuar se si mund të bashkërendojmë punën me njëri-tjetrin për të rritur kohezionin e përpjekjeve për ti shërbyer qytetarëve në vendet tona respektive, e kësisoj edhe në të gjithë kontinentin europian.

 

 

Jam i bindur që biem dakord se edhe pse ende jo një vend anëtar i BE, Shqipëria ka një kontribut real dhe të matshëm në sigurinë e unionit si pjesëmarrëse aktive në operacione të përbashkëta policore dhe adresimin e sfidave të tjera që lidhen me sundimin e ligjit, rendit e sigurisë publike.

Shembull është fakti që vendi ynë qe i pari në Ballkanin Perëndimor që nënshkroi marrëveshjen me Agjencinë Evropiane të Rojës Kufitare dhe Bregdetare (FRONTEX), e cila vijon e ka rezultuar shumë e suksesshme në menaxhimin e kufirit dhe flukseve migratore që i drejtohen kufijve të jashtëm të Bashkimit Europian.

Dihet gjithashtu gjerësisht fakti se ne e kemi kaluar tashmë prej kohësh fazën kur vetëm shkëmbenim informacione me partnerët tanë për hetimin dhe goditjen e grupeve kriminale. Sot jemi pjesëmarrës aktivë dhe me rol drejtues në Skuadra të Përbashkëta Hetimore dhe në operacione ndërkombëtare për goditjen e grupeve kriminale. Dhe kjo nuk është kurrsesi një fazë e rastësishme, por dëshmi domethënëse e besimit që është krijuar nga partnerët evropianë te Shqipëria, gjë e cila na vesh edhe më shumë me përgjegjësi.

Ne sot jetojmë në një botë dinamike e me kufij fluid, me rreziqe hibride e në evolucion të shpejtë, ku edhe krimi i organizuar është një aktor i cili nuk njeh shtet a pasaportë. Një fenomen i këtyre përmasave mund të luftohet vetëm nëse bashkërendojmë forcat dhe kapacitetet tona në po të njëjtën mënyrë, pa kufij dhe pasaporta!

E me këtë vizion në mëndje, mund të them me krenari se Policia e Shtetit Shqiptar është sot ndër institucionet më të besueshme nga publiku, e konfirmuar kjo edhe sipas studimeve të realizuara nga vendet tona partnere. Vitet e fundit kemi afruar rreth 3 mijë të rinj duke ulur moshën mesatare të efektivëve tanë, trend që do ta ruajmë për të arritur te mesatarja e vendeve të BE-së. Njëherësh ne jemi tejet të fokusuar tek rritja e cilësisë së edukimit dhe trajnimit policor për të rinjtë që i bashkohen shërbimit. Këtë ambicie po e konkretizojmë me partnerë si Italia, në mënyrë që Akademia e Sigurisë të jetë në rangun e simotrave të saj europiane.

Sfidë për ne ka qenë shtrirja tërësore e modernizimit të Policisë së Shtetit përmes investimeve në teknologji dhe pajisje inteligjente. Askush më mirë se ju se di që vetëm përmes avantazheve që krijon teknologjia, vende të vogla si Shqipëria mund të bëjnë kapërcime domethenese dhe të rrisin cilësisht punën në drejtim të uljes së kriminalitetit në të gjitha format e tij.

E megjithatë, ne jemi të ndërgjegjshëm që rritja e bashkëpunimit dhe nivelit të modernizimit në punën operacionale, krijon edhe risqe të reja që lidhen me sigurinë sidomos në sferën virtuale, cka kërkon vëmendjen tonë të përbashkët. Krimi kibernetik po shndërrohet në një formë të re tejet të sofistikuar që po sfidon cdo ditë agjencitë tona ligjzbatuese dhe cënon sigurinë e qytetarëve. As Policia e Shtetit Shqiptar nuk qe imune ndaj agresioneve kibernetike të këtill lloji. Ndaj ne kemi nisur një etapë të re dhe të vështirë investimesh të mbrojtjes kibernetike. Ky është një proces i gjatë dhe ku natyrisht ekspertiza e lartë europiane nga vendet tuaja është e mirëpritur.

Me këtë panoramë jam i bindur se dita do të vijojë në formë të frytshme, për të diskutuar hapur dhe gjetur zgjidhje praktike mbi sfidat me të cilat përballen policitë në të gjitha vendet tuaja. Ju uroj punime të mbara konferencës dhe shpresoj të keni mjatueshëm kohë për ta vizituar e shijuar Tiranën e cila ju mikpret në të gjitha dimensionet e saj.”, tha Çuçi.

Related articles

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow
3,912FollowersFollow
3,572SubscribersSubscribe
spot_img

Latest posts