Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se Shtetet e Bashkuara do t’i monitorojnë nga afër zgjedhjet lokale në veri të Kosovës.

Zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok – do të mbahen të dielën, 23 prill.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme po organizohen pasi kryetarët e këtyre komunave – nga radhët e Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – kanë dhënë dorëheqje në nëntor të vitit të kaluar, si shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrim të makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.

Hill ka thënë jo vetëm Shtetet e Bashkuara, por edhe shumë shtete tjera besojnë se tani nuk është koha e duhur për t’i mbajtur zgjedhjet.

“Duke marrë parasysh që jemi në një moment kritik, në një moment shumë të rëndësishëm për dialogun, ne besojmë se të gjitha problemet duhet të zgjidhen përmes dialogut”, u ka thënë Hill gazetarëve.

Më herët gjatë ditës, i dërguari i Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se Shtetet e Bashkuara do të njohin rezultatin e zgjedhjeve në veri të Kosovës, edhe nëse Lista Serbe i bojkoton ato.

“Ne i kemi ftuar, dhe unë personalisht e kam ftuar Listën Serbe që të marrë pjesë dhe të mos heqë dorë nga ndikimi që mund ta ketë. Ata kanë vendosur të mos marrin pjesë. Mirëpo këto zgjedhje janë obligim kushtetues”, ka thënë Esbobar për Zërin e Amerikës, më 20 prill.

Lista Serbe, refuzon të marrë pjesë në zgjedhje, me arsyetimin se nuk i janë përmbushur dy kërkesa: formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe tërheqja e njësiteve speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.

Për dallim nga herët e kaluara, në këto zgjedhje votimet, përveçse në disa shkolla, do të mbahen edhe në kontejnerë./REL