Në kuadër të vizitës shtetërore në Kroaci, presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi një drekë pune me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviç.
Presidenti Begaj shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Kroacia i dha Shqipërisë për kapërcimin e pasojave të tërmetit shkatërrimtar në nëntor të vitit 2019, si dhe gjatë periudhës së pandemisë Covid-19. Pasi e uroi kryeministrin Plenkoviç për arritjet më të fundit të Kroacisë në kuadër të BE-së dhe për hyrjen në zonën Shengen e Eurozonë, Begaj nënvizoi se Kroacia mbetet shembulli më i mirë për rrugëtimin evropian të Shqipërisë.
Në këtë kontekst Presidenti Begaj shprehu gjithashtu mirënjohjen për mbështetjen që Kroacia i ka dhënë procesit të integrimit të Shqipërisë me ekspertë dhe ekspertizë. Duke iu referuar partneritetit strategjik midis dy vendeve, të dy bashkëbiseduesit nënvizuan marrëdhëniet tradicionalisht të shkëlqyera, si dhe nevojën e avancimit të tyre edhe në kuadër të bashkëpunimit ekonomik. “Pavarësisht tendencave pozitive në drejtim të bashkëpunimit ekonomik e tregtar, ende jemi larg shfrytëzimit sa duhet të mundësive që ekzistojnë në këtë drejtim”, -u shpreh presidenti Begaj.
Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe mundësisë së rritjes së bashkëpunimit në fushën e turizmit, ku interesi i përbashkët është vendosja e një linje ajrore direkte Tiranë-Zagreb, por edhe të linjave detare që lidhin portin e Durrësit me portet e Kroacisë. Kryeministri Plenkoviç e siguroi presidentin Begaj për vullnetin e palës kroate në çuarjen përpara të këtyre projekteve me interes të ndërsjellë.
Të dy bashkëbiseduesit u ndalën edhe tek agresioni ushtarak rus në Ukrainë, si dhe te ndikimi i këtij agresioni në rajonin e Evorpës Juglindore apo rreziku që kanoset nga interesi i palëve të treta jo miqësore për të nxitur trazira dhe për të dëmtuar stabilitetin e rajonit.