Kryeministri Edi Rama ka folur mëngjesin e sotëm lidhur me fushatën dhe zgjedhjet vendore të 14 majit.
Në një intervistë, Rama ka thënë se PS e ka betejën pa kundërshtarë dhe se shumë pak bashki janë në diskutim për t’i fituar.
“Nga të gjitha fushatat, kjo është një fushatë ndryshe, nuk e ndjej si një betejë si të tjerat me kundërshtarë konkretë. E ndiej si përcaktuese për të ecur përpara. Patjetër që si kemi bërë gjërat mirë. Duke e parë nga afër bilancin, kemi bërë gjëra të mira në bashki, qytetet janë të pastra, përjashto Shkodrën. Akoma sot vazhdojnë kazanët mbushen me plehra, rrinë me ditë në rrugë. Qytetet sot nuk kanë probleme me ujin e pijshëm, sot mbulojmë më shumë sesa mbulohej përpara 90-tës. Në te gjitha qytetet nuk është refreni “do t’ju sjellim ujë”, pjesa më e madhe e ka. Tirana është më e vështira se ka një rritje të madhe të popullsisë. Është shumë e rëndësishme të përmirësojmë bilancin. Nuk është fushatë konfrontuese, kemi preferuar ta mbajmë komunikuese, nuk janë kundërshtarët në sensin e përplasjes. Kemi shumë pak bashki që janë në diskutim. Një kandidat është më shumë sesa një person, është një burim energjie që ka të bëjë me mbështetjen që ka, ka të bëjë me forcën që përfaqëson. Nëse është i pavarur ka të bëjë me atë shtresë apo grup që mund të jenë bashkuar për ta mbështetur”,- tha Rama