Kryeministri shqiptar Edi Rama viziton këtë fundjavë komunat arbëreshe në Rajonin e Kalabrisë në Itali.
Vizita e tij nis në Komunën e Lungro, dhe shoqërohet nga Ambasadorja shqiptare në Romë, Anila Bitri, nga konsulli Arjan Vasjari, nga kryetari i Bashkisë së Shkodrës Benet Beci, nga Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako, Kryetari i Bashkisë së Vlorës Ermal Dredha e nga këshilltari i tij Endri Fuga.
Kreu i qeverisë është pritur nga Kryetari i Bashkisë së Lungro, Carmine Ferraro, ku do t’i bashkohen aktivitetit kupturor “Mirë se na erdhët” dhe më pas do të vazhdojë me tryezën e punës me temë: “Shqipëria e Europa”.
Pas vizitës në Lungro në ora 18.00 të pasdites së sotmë KM shqiptar do vizitoj komunën Vacarizzo albanese e Muzeun etnografik të kësaj qyteze.
Nesër datë 4 qershor vizita e delegacionit shqiptar do të vazhdojë në ora 9.45 në Frascineto, ku do të vizitojnë Muzeun e Traditës Bizantine, dhe në ora 11.30 do të jenë në qytezën San Benedetto Ulliano me vuzitën në Kishën e Zojës së Këshillit të Mirë.
Gjatë vizitës në komunat arbëreshe delegacioni shqiptar do të marr pjesë në evente kulturore të organizuara nga administrata lokale e shoqatat e komunitetit arbëreshë.
Qyteza e Lungro-s, është një komunë arbëreshe në provincën e Kozencas në Kalabri, që është dhe kryeqendra e komunitetit të arbëreshëve ku dhe ndodhet selia zyrtare e Dioqezës së Arbëreshëve.
Eparkia e Lungro-s është ngritur më 13 shkurt të vitit 1919 nga Papa Benedikti i XV, ruan e mbron gjuhën, zakonet e pasurinë fetare e kulturore të minoritetit arbëresh në Itali.
Bazuar në ritin greko-bizantin ajo ka luajtur një rol të rëndësishëm në historinë shekullore të arbëreshëve të Italisë në kultivimin e gjuhës e ruajtjen e identitetit të tyre.
Të gjitha ceremonitë e festat fetare kryhen në gjuhën shqipe e greke e rrallë herë në gjuhën italiane.