Me iniciativën dhe interesimin e Zonjës së Parë, Armanda Begaj, u hap në Institucionin e Presidentit ekspozita „Kujtesa si mision dhe dialog midis brezave“, për të promovuar kujtesën historike dhe përkushtimin ndaj edukimit historik të brezit të ri. Ekspozita përmban punime të gjimnazistëve që kanë marrë pjesë në konkursin vjetor “Pyet Gjyshërit“, të organizuar nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj falënderoi gjimnazistët që kishin marrë pjesë në konkurs: “Dëshiroj të theksoj që në fillim, kënaqësinë që morëm që në fillim nga përfshirja masive e të rinjve në këtë konkurs, nga idetë origjinale që të rinjtë e mrekullueshëm të këtij vendi sollën nga investimi i admirueshëm me energji, talent e pjekuri,” – tha Presidenti Begaj në fjalën e tij.
Kreu i Shtetit shtoi më tej se: “Është vërtet bukur të konstatosh sesi nëpërmjet dialogut brenda familjes, brezi i më të moshuarve transmeton përmes kujtimeve, dijen e fituar në jetë dhe eksperiencat jetësore me mësimet pozitive, por dhe mësimet e nxjerra nga e kaluara. Nga kjo shumësi komunikimi njerezor vlerash, mbahet gjallë memoria kolektive e shoqërisë, mësohet mbi historitë familjare dhe historinë e vendit tonë, krenohemi për pjesët e lavdishme të saj, reflektojmë mbi pjesët e errëta, për të ndërtuar shoqërinë e së ardhmes, më të mirë për ju që jeni rinia, me shanse të barabarta për të gjithë.”
Në fund të fjalës së tij, Presidenti Begaj shprehu sigurinë se Institucioni i Presidentit do të jetë gjithmonë i hapur për çdo nismë që ka të bëjë me rininë dhe edukimin e tyre.
Edhe Zonja e Parë, Armanda Begaj, përshëndeti gjimnazistët e pranishëm, duke thënë se: “Ne duhet t’i përkushtohemi edukimit historik tuajit, brezit të ri, të ardhmes tonë, duke promovuar kështu, kujtesën historike, si mision dhe dialog brezash. Një ndër tematikat që së bashku me Presidentin e Republikës kemi në fokus është edukimi, ndaj falenderoj Institutin për Demokraci, Media dhe Kulturë, si dhe të gjitha organizatat e tjera që angazhohen me kujtesën përmes edukimit, për punën e tyre.” Në të njëjtën linjë me Presidentin e Republikës, Zonja Begaj nënvizoi se të rinjtë do të kenë gjithnjë mbështetjen dhe ndihmën e saj, duke i përgëzuar ata për punët.
Punimet e prezantuara në ekspozitë, inkurajojnë diskutimin, kreativitetin dhe ndërgjegjësimin rreth temave të rëndësishme historike. Konkursi është një mundësi për të rinjtë shqiptarë për të shprehur reflektimet e tyre mbi diktaturën komuniste dhe për të sensibilizuar publikun e gjerë në lidhje me nevojën e mësimit nga e kaluara.
Pjesë e ceremonisë ishin dhe Fatmiroshe Xhemalaj, Ambasadore e EuroClio në Shqipëri, dhe Vojsava Kumbulla, Presidente e Shoqatës së Mësuesve të Historisë. Eventi u moderua nga Jonila Godole, Drejtore Ekzekutive e IDMC.