Shërbimet e Policisë Kufitare në të gjithë vendin, në zbatim të planit të masave për kontrollin përgjatë vijës bregdetare kanë vijuar kontrollet për monitorimin e zonave ku lundrojnë mjetet lundruese dhe për verifikimin e dokumentacionit që nevojitet për përdorimin e tyre.
Si rezultat i kontrolleve, janë sekuestruar 7 mjete lundruese (6 Jet Ski dhe 1 skaf), konkretisht: 1 në Dhërmi, 1 në Vlorë, 4 në Shëngjin dhe 1 në gjirin e Lalzit, Durrës.
Drejtuesit e 3 mjeteve lundruese Jet Ski u ndëshkuan secili më masë administrative 100 000 Lekë të rinj, pasi janë konstatuar duke bërë manovra me këto mjete, në zonën e përcaktuar për pushuesit, në plazhin e Kunes, në Shëngjin.
Për drejtuesin e mjetit lundrues Jet Ski që u sekuestrua në Vlorë dhe për drejtuesin e mjetit lundrues skaf që u sekuestrua në Dhërmi, u vendosën respektivisht masat administrative 20 000 Lekë të rinj, pasi asnjëri prej tyre nuk kishte kryer procedurat e regjistrimit të mjetit lundrues brenda afatit të përcaktuar në ligj.
Për përdoruesin e mjetit tjetër lundrues Jet Ski që u sekuestrua në Shëngjin dhe për pronarin e mjetit lundrues Jet Ski që u sekuestrua në gjirin e Lalzit, Durrës, u vendosën respektivisht masat administrative 10 000 Lekë të rinj, pasi gjatë kontrollit u konstatua se ata nuk kishin në bord, dokumentacion e nevojshëm për lundrim.