Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, mori pjesë në Konferencën e Rimëkëmbjes së Ukrainës 2023 (URC23), e cila u organizua bashkërisht nga Mbretëria e Bashkuar dhe Ukraina, në datat 21-22 qershor 2023, në Londër.
Gjatë kësaj konference ministrja Xhaçka zhvilloi takime me kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviç, ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, si dhe takime homologë dhe drejtues nga Kroacia, Austria, Azerbajxhani dhe Moldavia, me të cilët ndau pikëpamjet mbi luftën në Ukrainë, sigurinë dhe procesin e integrimit në BE.
“Londër, në takimin më të madh të solidaritetit për Ukrainën (URC2023) pata kënaqësinë të takoja miq dhe koleg nga Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Kroacia, Austria, Azerbajxhani dhe Moldavia ku ndamë pikëpamjet mbi luftën në Ukrainë, sigurinë dhe procesin e integrimit në BE”, shkroi Xhaçka në një postim në rrjetet sociale.
Kjo konferencë, e dyta në llojin e saj, bashkoi qeveritë, shoqërinë civile dhe sektorin privat për të treguar mbështetje për rimëkëmbjen dhe prosperitetin ekonomik të Ukrainës.
Në këtë event morën pjesë 60 vende, 40 prej të cilave u përfaqësuan nga krerët e shteteve dhe ministrat e jashtëm.
Përgjatë saj, ministrja Xhaçka është takuar me homologët e Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Mbretërisë së Bashkuar, Austrisë, Kroacisë, Azerbajxhanit dhe Moldavisë me të cilët ka diskutuar çështje të sigurisë dhe integrimit.