Policia e Elbasanit ka dalë sot në një konferencë për mediat ku dha detaje rreth megaoperacionit të ndërmarrë sot, që çoi në arrestimin e 50 personave, nga 52 urdhër-arreste të lëshuara.
Gjatë fjalës së tij, drejtori i Policisë së Elbasanit, Ilir Proda tha se 10 persona kanë qenë të dënuar në fushën e narkotikëve.
“Kemi zbatuar urdhrat e prokurorit për ndalimin e shtetasve. Rrugët e drogës dihen. Janë ndaluar në bazë të urdhrit të lëshuar nga prokurori. Hetimi është në vazhdim edhe për disa subjekte të tjera. Janë goditur drejtues të grupeve kriminale në këtë qytet. Mes tyre ka biznesmenë dhe persona me arsim të lartë. Kryesisht janë mbi 20 vjeç, deri në 65-vjeç.”, tha Proda.
Ndërkohë, drejtuesi i Prokurorisë tha se: “Më lejoni që përmes jush të bëj me dije se Prokuroria mbi bazën e materialeve, ka zhvilluar hetimin për veprat penale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve. Në bashkëpunim me policinë është dokumentuar shitja e drogërave të forta, kokainë, heroinë, etj. Një pjesë e të ndaluarve, ndonëse kanë qenë më parë të evidentuar në kryerjen e veprave penale, nuk janë ndaluar më parë. Më lejoni të falenderoj të gjithë forcat e policisë që morën pjesë në operacionin.”.
Mësohet se 7 persona janë shpallur në kërkim policor, ndërsa gjatë aksionit janë sekuestruar kokainë, heroinë, kanabis dhe metadon.