Mbështetja e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe kërkesa Shqipërisë për shpalljen si të pazbatueshme të rezolutës që akuzon Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për trafikim organesh gjatë kohës së luftës, ishin fokusi i diskutimeve mes Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla dhe Presidentit të Nderit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, René van der Linden.
Kuvendi i Shqipërisë njoftoi se Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, priti sot në një takim Presidentin e Nderit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, René van der Linden, i cili ndodhet për një vizitë në Tiranë.
Sipas njoftimit, kryetarja Nikolla vlerësoi kontributin e Van Der Linden në drejtimin e Asamblesë Parlamentare të KiE gjatë viteve 2005-2008 dhe qëndrimeve të drejta në kohë të vështira për kontinentin, demokracinë, të drejtat e njeriut, paqen dhe sigurinë.
Nikolla, thuhet në njoftim, vuri në dukje bashkëpunimin shumë të mirë të Kuvendit me Asamblenë Parlamentare të KiE, për konsolidimin e institucioneve demokratike, shtetit të së drejtës dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Kryetarja Nikolla e vuri në dijeni Van Der Linden mbi përpjekjet dhe lobimin e deritanishëm të Shqipërisë në mbështetje të kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe kërkoi edhe mbështetjen e Van Der Linden në këtë proces.
Gjithashtu, Kryetarja Nikolla e vuri në dijeni Van Der Linden mbi Rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë “Mbi pa-zbatueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”, përcjellë zyrtarisht Këshillit të Evropës, duke i kërkuar të rishikojë Rezolutën 1782 (2011), dhe të shpallë të pabazuara pretendimet për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë, në dritën e fakteve e provave, në shërbim të së vërtetës dhe vendosjes së drejtësisë.
René van der Linden falënderoi Kryetaren Nikolla për takimin dhe vlerësoi kontributin e Shqipërisë në Këshillin e Evropës dhe Asamblenë Parlamentare të kësaj organizate, e cila mund të konsiderohet si një “shkollë demokracie” për mbrojtjen e vlerave demokratike, të të drejtave të njeriut dhe të paqes.
Van Der Linden vlerësoi arritjet e Shqipërisë në thellimin e reformave, luftën kundër krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe korrupsionit, dhe nënvizoi se këto rezultate kanë mundësuar çeljen e negociatave dhe avancimin drejt BE-së.