Kryeministri, Edi Rama, njoftoi sot se nga e hëna, 3 korrik, Kadastra do të funksionojë 100% në mënyrë elektronike online.
Gjatë fjalës së tij për prezantimin e projektit për Kadastrën, Rama u kërkoi falje të gjithë shqiptarëve që janë torturuar gjatë këtyre viteve në dyert e Kadastrës.
Rama theksoi se nga e hëna nuk do të ketë më sportele pritëse në Kadastra, apo veprime manuale, por se çdo gjë do të bëhet përmes e-Albania, ndërsa pohoi se nuk do të ketë me vend për korrupsion dhe “punë me mik”.
Edi Rama: Ndjesë shqiptarëve që janë torturuar në kadastër. Sot ne jemi në kushtet kur nuk mund të themi se kemi arritur atë që duhej. Kemi parë të ndodhin çudira me pronat e shqiptarëve. Aktori kryesor i gjithë kësaj është korrupsioni, paraja. Kjo ndjesë sot është një ndjesë që mezi kam pritur të vijë dita që ta bëj. Ngaqë e kam menduar këtë ndjesë, mezi kam pritur të them që ditën e hënë 3 korrik Kadastra nuk është e aksesueshme për askënd, nga data 3 korrik askush nuk do ju përgjigjet në kadastër. Asnjë nga miqtë që keni futur në kadastër. Kadastra do të jetë një makineri digjitale. Punonjësit aty brenda kanë filluar të kërkojnë të largohen. Mos shkoni më në kadastër se nuk ju pret më askush.