“Në tetor Shqipëria pret për herë të parë Samitin e Berlinit. Ne duhet të futemi me kokë tani në procesin e Berlinit sepse e kemi këtë mundësi. Ballkani i Hapur ishte një iniciativë që lindi nga nevoja për ta shtyrë përpara procesin e Berlinit dhe e ka kryer atë mision për të cilin lindi”.
Kështu është shprehur kryeministri Edi Rama në një intervistë për “Euronews Albania”, sa i takon vijimësisë së Open Balkan.
Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se “jemi përgatitur për një hap të madh përpara.
“Po punojmë me Bashkimin Evropian për një plan të ri financimi dhe mbështetje ekonomike të gjithë vendeve të rajonit që duam shumë ta konkretizojmë në Samitin e Berlinit në tetor dhe është një plan real.
Ursula Von der Leyen në Bratislavë e dha një mesazh të parë lidhur me planin për të rritur financimin, për të rritur aksesin e Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët evropian”, tha Rama.